Deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 28 dhjetor 2025 kanë hapur debat të ri politik, pasi qëndrimi i saj ka ndryshuar brenda pak muajsh.
Në nëntor të vitit 2025, Osmani kishte mohuar kategorikisht se caktimi i 28 dhjetorit ishte bërë për t’i shërbyer ndonjë partie politike, madje e kishte cilësuar si “ofenduese” pyetjen nëse vendimi i saj po i shkonte për shtat Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti.
Megjithatë, në një intervistë më 9 mars 2026, në kulmin e përplasjes politike me Kurtin, presidentja la të kuptohet se pikërisht kjo datë ishte dhënë për Vetëvendosjen.
Mohimi në nëntor 2025 “Vendim vetëm në interes të Kosovës”
Më 20 nëntor 2025, pas shpërndarjes së Kuvendit, Osmani njoftoi se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbaheshin më 28 dhjetor 2025. Vendimi erdhi pasi Kuvendi nuk arriti të formojë një qeveri të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Në konferencën për media, presidentja shpjegoi se data ishte zgjedhur pas konsultimeve me partitë politike dhe për shkak të kufizimeve teknike në organizimin e procesit zgjedhor.
Sipas saj, tetë parti politike kishin qenë në favor të datës 28 dhjetor, pesë parti kishin propozuar 21 dhjetorin, ndërsa tri të tjera kishin deklaruar se cilado datë do të ishte e pranueshme për to.
Osmani argumentoi se procedurat për organizimin e zgjedhjeve kërkonin kohë shtesë, përfshirë regjistrimin e subjekteve dhe koalicioneve, certifikimin e kandidatëve, hedhjen e shortit, si dhe përgatitjen e votimit për diasporën.
“Zgjedhjet lokale nuk kanë përfunduar akoma sa i përket procedurës së certifikimit. Para fillimit të fushatës janë një sërë veprimesh, që janë regjistrimi i subjekteve dhe koalicioneve, certifikimi i kandidatëve, hedhja e shortit e veprime të tjera. Për më tepër, duhen së paku dy javë kohë për të mundësuar votimin jashtë vendit dhe sipas ligjit, shtetasve që jetojnë jashtë vendit duhet dhënë së paku 15 ditë afat me qëllim të aplikimit dhe regjistrimit për të votuar”, tha Osmani.
Osmani tha se si presidente e Kosovës e ka për detyrë “të jap afatin më të gjatë e jo më të shkurtër që të eliminojmë disa nga sfidat e organizimit të shpejtë të zgjedhjeve”.
Osmani u pyet nëse “po i shërben Lëvizjes Vetëvendosjes” pasi zgjodhi 28 dhjetorin, datë e preferuar nga LVV-ja.
Duke e cilësuar si pyetje “ofenduese”, Osmani tha se “dua t’i siguroj qytetarët që asnjë vendim nuk e marrë pa vetëdije”, por shtoi se ka besim të plotë “që ky vendim është vetëm në interes të Kosovës”.
“Të gjitha partitë janë shprehur se nuk janë kundër mërgatës. Pse po paragjykoni që mërgata është në favor të një partie? E kam detyrim të zgjedh një datë ku kemi një pjesëmarrje më të madhe e jo më të vogël”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u është përgjigjur pyetjeve se pse është caktuar data 28 dhjetor si datë e zgjedhjeve.
“Cilido president i përgjegjshëm do ta kishte zgjedhur një datë ku parashikohet pjesëmarrje më e madhe jo më e vogël. Këtë e kërkon demokracia, nuk kërkon të zgjidhen data kur ka pjesëmarrje me e vogël, nuk kërkon të zgjidhen data kur kemi probleme në organizimin e tyre, nuk kërkon të zgjedhën data që bëjnë të pamundur realizimin praktik dhe të rregullt të zgjedhjeve. Një president i përgjegjshëm zgjedh datën më të mirë, përkundër dëshirave”, tha Osmani.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e mirëpriti caktimin e 28 dhjetorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, duke e cilësuar si “datën më të përshtatshme”.
“Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik”, tha ai përmes një postimi në Facebook pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga Osmani.
Pranimi në mars 2026 “Ia dhashë Vetëvendosjes 28 dhjetorin”
Katër muaj më vonë, në një intervistë më 9 mars 2026 me gazetarin Çim Peka në “Syri TV” Osmani përdori një formulim që u interpretua si pranim se data e zgjedhjeve kishte qenë në favor të Vetëvendosjes.
Duke iu përgjigjur akuzave se kishte organizuar një “puç” ndaj qeverisë së Kurtit gjatë një takimi me ish-emisarin amerikan Richard Grenell, presidentja e hodhi poshtë këtë pretendim dhe përmendi pikërisht datën e zgjedhjeve si argument kundër këtyre akuzave.
““A ja paskam organizuar unë pas shtatorit puçin zotrit Kurtit duke ja dhënë datën 28 dhjetor”, deklaroi ajo.
Në të njëjtën intervistë, Osmani sqaroi se takimi me Grenell kishte ndodhur në shtator dhe se aty kishin marrë pjesë përfaqësues nga e gjithë Evropa Juglindore.
Sipas saj, refuzimi i një takimi të tillë në tokën amerikane do të ishte i papranueshëm.
Ajo gjithashtu përmendi se në atë periudhë kishte kontribuar edhe në procese të tjera që, sipas saj, kishin ndihmuar qeverinë e Kurtit, përfshirë përpjekjet për heqjen e masave të Bashkimit Evropian dhe pritjen e diasporës.
Përplasja politike Osmani – Kurti
Deklaratat e fundit të presidentes vijnë në një moment kur raportet mes saj dhe Kurtit janë përkeqësuar ndjeshëm.
Në intervistën e saj të parë pas prishjes së raporteve me kryeministrin, Osmani përdori tone shumë të ashpra, duke e cilësuar Kurtin edhe si “tradhtar” dhe duke e akuzuar Vetëvendosjen se kishte punuar kundër kandidaturës së saj për një mandat të dytë presidencial.
Kriza politike në Kosovë është thelluar edhe pas vendimit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, vendim që u kontestua nga Vetëvendosje dhe u dërgua për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata vendosi një masë të përkohshme deri më 31 mars, duke shtuar paqartësinë institucionale rreth procesit politik dhe zgjedhor./Paparaci










