Dikur fajësonte opozitën për pagat e RTK-së, sot kur zgjedhjet janë afër Kurti ndan 4.48 milionë euro si “improvizim i detyruar”

Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë sot vendim për ndarjen e 4 milionë e 480 mijë eurove për ekzekutimin e pagave të rreth 700 punëtorëve të RTK-së, të cilët tash e disa ditë kanë qenë në grevë për shkak të mosmarrjes së pagave.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky vendim është marrë si pasojë e mungesës së funksionalizimit të Kuvendit dhe komisioneve parlamentare, duke e cilësuar këtë hap si një zgjidhje të përkohshme dhe të imponuar nga situata, raporton lajmi.net

“Siç e ka paralajmëruar këtë të hënën në konferencë ministri Hekuran Murati kemi shqyrtuar disa opsione për të dalë nga kjo situatë. Sot këto mjete po ndahen nga kategoria e kursimeve, kjo zgjidhje e sotshme apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është vetëm një improvizim i detyruar pas përpjekjeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për të miratuar aty buxhetin për RTK-në”, tha Kurti.

Edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se fondet janë siguruar duke kursyer nga projektet ekzistuese në organizata të tjera buxhetore.

“Ndarja e 4 milionë e 480 mijë euro për RTK të cilat është dashur të kursehen ose merren si kursime nga projekte ekzistuese në kuadër të organizatave tjera buxhetore për shkak se në Kuvend u refuzua të krijohet Komisioni për Buxhet dhe të votohej buxheti për RTK. Në pamundësi që të sigurohen pagat e punëtorëve tash e sa kohë nga ana e Kuvendit si themelues i RTK-së na është dashur neve si Qeveri të marrim këtë hap improvizues që të gjendet një zgjidhje emergjente dhe të sigurohen pagat për transmetuesin publik”, tha Murati.

Por ditë më parë, Kurti i ishte përgjigjur një letre nga tri organizata ndërkombëtare të mediave, duke u kërkuar atyre që të inkurajojnë ish-opozitën të marrë përgjegjësitë institucionale sa i përket çështjes së RTK-së.

Përgjigja e tij, e publikuar nga Federata Evropiane e Gazetarëve, përmbante edhe sqarime ligjore mbi buxhetin e miratuar për transmetuesin publik.

Ai theksoi se Qeveria është e kufizuar nga kuadri ligjor dhe se vendimi final për pagat duhej të merrej në Kuvend.

“Në të njëjtën kohë, Qeveria duhet të veprojë strikt brenda kuadrit të ligjeve të Kosovës dhe ndarjes kushtetuese të pushteteve. Në bazë të Ligjit Nr. 08/L-332 për Alokimet Buxhetore për vitin 2025, Parlamenti miratoi shumën prej 8,960,000 € për RTK-në”, theksoi Kurti.

Në letrën e 13 nëntorit, ai fajësoi opozitën për mosformimin e komisioneve parlamentare.

“Në rrethanat aktuale, ndërkohë që Kuvendi është konstituar, por partitë opozitare refuzojnë të formojnë komitetet parlamentare, nuk ekziston asnjë komitet kompetent që të marrë vendimin e kërkuar, dhe ekzekutivi nuk mund të zëvendësojë ligjërisht këtë kompetencë”, u shpreh Kurti.

Edhe Ministri në detyrë Hekuran Murati thoshte se opsionet financiare janë tepër të kufizuara, sidomos pasi rezerva buxhetore është shterruar që në fillim të vitit.

“Është e vështirë zgjidhja, por po shohim përmes një forme kursimi… Rezerva buxhetore, e cila ka qenë e alokuar dhe e buxhetuar, fatkeqësisht e kemi shterruar në pjesën e parë të vitit, sepse kemi humbur në arbitrazh në Hotel Grand. Ka qenë obligim i qeverive të kaluara”.

Murati përmendi edhe overdraftin e dhënë në gusht, duke thënë se ishte bërë me shpresën se Kuvendi do të funksionalizohej dhe komisioni parlamentar do të mund të miratonte buxhetin.

“Partitë tjera refuzuan kategorikisht, ne ishim të gatshëm për komisionin, por votat tona ishin të pamjaftueshme. Kësisoji kemi ardhur në situatën që Kuvendi refuzoi pagat RTK. Nuk ka mënyrë si të funksionalizohet komisioni dhe të alokohen mjetet”, tha ai, duke shtuar se po kërkohet një zgjidhje përmes kursimeve të brendshme./Lajmi.net/