Sot, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qarkullimi i bizneseve për gjashtë muajt e parë të vitit 2025 ka shënuar “rekord” prej 10.7 miliardë eurove, dhe se sipas tij, kjo paraqet një rritje prej 10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kjo shifër ishte 9.7 miliardë euro.
Në këtë postim të Muratit, ka komentuar avokati Arianit Koci. I njëjti mes tjerash i ka thënë Muratit se ‘‘qarkullimi nuk është tregues i mirëqenies’’.
Avokati e ka pyetur Muratin se a po jeton qytetari më mirë se vitin e kaluar, apo se shporta e qytetarit është zvogëluar.
‘‘Ministër, rritja e çmimeve e rrit edhe qarkullimin – këtë e dinë edhe studentët e vitit të parë të ekonomisë. Sidoqoftë, qarkullimi nuk është tregues i mirëqenies. Na tregoni: me këtë shtrenjtim, a po jeton qytetari më mirë se vitin e kaluar, apo shporta e tij është zvogëluar? Pa rritje të prodhimit real, apo rritje të qarkullimit në sasi, këto shifra janë vetëm pasqyrim i inflacionit – dhe inflacioni nënkupton një gjë të thjeshtë: qytetarët po varfërohen, ndërsa ju e shisni si sukses. Nëse jam gabim, ju lutëm me demantoni!’’, ka shkruar ai.
Ndaj këtij komenti, është përgjigjur vetë Murati.
Ministri në detyrë ka tentuar të shpjegohet ndaj Kocit duke marr për shembull kafen.
‘‘Avokat, qe një ilustrim:
Kafja ka qenë 1 euro dhe me 100 euro pagë ke mujtë me i ble 100 kafe. Nëse kafja rritet në 2 euro, dhe ti me 100 euro pagë mundesh me i ble veç 50 kafe tash (në vend të 100 kafeve), a është rritë qarkullimi apo është zvogëlu sasia e kafeve që ke ble? Qarkullimi mbetet 100 euro siç ka qenë më parë, mirëpo ty të është zvogëlu sasia e kafeve që ti blen.
Inflacioni e zvogëlon sasinë e blerjes/fuqinë blerëse.
Qarkullimin e rritë rritja e të ardhurave të familjes/fuqisë blerëse, jo inflacioni.
Por pa merak, të njejtin gabim konceptual e bëjnë edhe ekonomistët e LDK-së’’, ka shkruar ai.
Përveç Kocit, ka pasur edhe komentues të tjerë që s’janë pajtur dhe e kanë kritikuar Muratin.