Diddy përballet me një tjetër padi për sulm seksual ndaj një fotografi

Reperi Sean “Diddy” Combs, po përballet me një tjetër padi për sulm seksual, kësaj here nga një fotograf mashkull, i cili pretendon se është detyruar të kryejë një akt seksual ndaj tij në këmbim të një “ngritjeje në karrierë”.

Sipas padisë, e ngritur në Gjykatën e Lartë të Shtetit të New Yorkut, paditësi i referuar si “John Doe” pretendon se incidenti ndodhi gjatë një xhirimi reklamash në vitin 2022 ose 2023.

Ai thotë se iu kërkua ta kthente Diddy-n në set, por në vend të kësaj, reperi e ftoi në trailerin e tij dhe kishte qëllime seksuale, shkruan DailyMail.

“Nëse e bën siç duhet, do të të ndihmoj në karrierë”, dyshohet se i tha Diddy, duke i lënë të kuptohet se refuzimi do të dëmtonte të ardhmen e tij profesionale. Nën këtë presion, Doe pretendon se iu nënshtrua kërkesës së Diddy-t.

Në një deklaratë për DailyMail.com, përfaqësuesit e Diddy-t mohuan akuzat, duke theksuar se ai “kurrë nuk ka sulmuar seksualisht apo trafikuar ndonjë person, burrë apo grua” dhe se ai beson në drejtësinë e procesit gjyqësor.

Diddy, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn, është përballur edhe më parë me padi të ngjashme, të cilat ka mohuar kategorikisht.

Avokati i paditësit, Tony Buzbee, ka deklaruar se do të ndjekë çështjen me seriozitet dhe se është i vendosur të kërkojë drejtësi për klientin e tij.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet ky rast në sistemin gjyqësor.