Dick Marty kapet mat, i shoqëron anëtarët e delegacionit të Serbisë në Këshillin e Evropës

Dick Marty është parë sot në shoqëri me delegacionin e Serbisë në Këshillin e Evropës në Strasburg të Francës, shkruan Gazeta “Evropa”.
Ish- raporuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, në raportin e tij të vitit 2010 kishte akuzuar rëndë drejtuesit kryesor të UÇK-së.
Bazuar në raportin e tij, është themeluar edhe Gjykata Speciale, ku këto ditë janë intervistuar disa nga komandantët e zonave operative, si Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku dhe disa ish -ushtarë të tjerë të UÇK-së.
Por, ashtu siç edhe ishte dyshuar, tashmë është bërë e qartë se raporti të cilin Marty e kishte prezantuar në Këshillin e Evropës, ishte përgatitur mbi bazën e materialeve të prokurorisë serbe.
Milan St. Protiq, ish- ambasador i Serbisë në Zvicër, në emisonin “Mysafiri i ditës“, të televizionit serb TV HAPPY, me rastin e promovimit të librit të tij, “Vendi i Wilhem Telit”, ka folur këto ditë edhe për kohën dhe rrethanat e njoftimit me ish- raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty, bashkëpunimit që kanë pasuar me Martyn si ai, ashtu dhe prokuroria serbe për krimet e luftës, përkatësisht se si i mori Dick Marty “provat” nga prokuroria serbe në bazë të të cilave edhe e hartoi Raportin e tij në vitin 2010 për Këshillin e Evropës.
“Idea ime e parë me t’u vendosur në Zvicër faktikisht ka qenë ta takoj Dick Martyn, i cili në atë kohë posa ishte emëruar raportues i Këshillit të Evropës. Nga ana e prokurorisë sonë për krime të luftës, kam qenë paraprakisht i informuar se dëshmitë tona mbi atë se çfarë ka ndodhur në veri të Shqipërisë kanë qenë shumë të forta dhe bindëse, dhe kam vlerësuar se ky është një shkak i mjaftueshëm që veprimi im i parë në Zvicër të jetë njoftimi me Dick Martyn dhe atë e kam njohur para se të dorëzoja letrat kredenciale dhe kam vazhduar të bashkëpunojë me të”, kështu e përshkruan në detaje në emision ish- ambasadori serb në Zvicër, Protiq, motivin që e ka shtyer për ta takuar dhe për t’u njoftuar me Dick Martyn posa ishte vendosur në Zvicër, madje pa dorëzuar ende letrat kredenciale.
“Dick Marty e ka pranuar materialin e mbledhur me përkushtim nga njerëzit tanë nga prokuroria, hetuesit, përfshirë edhe policinë, që kanë punuar në të, dhe në bazë të tij e ka hartuar raportin. Ai vetë nuk ka pasur kurrëfarë provave bindëse dhe serioze”, thotë ish-ambasadori serb përkitazi me raportin famoz i cili solli pas vetes një fushatë të ashpër akuzash nga më monstruozet mbi bazën e pretendimeve të Dick Martyt në drejtim të pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së.