Díaz, gjithnjë e më afër Bayern Munich. Kolumbiani joshet nga paga 4 herë më e madhe se e tanishmja

Një tjetër kapitull i shtohet “telenovelës” mbi të ardhmen e Luis Díaz. Bayern Munich ka bindur tashmë anësorin kolumbian për projektin dhe ofertën financiare, por është ende në pritje që Liverpool-i t’i ulë kërkesat e tij ekonomike.

Bavarezët, të cilëve iu refuzua një ofertë prej 67.5 milionë eurosh, po përgatiten ta rrisin shumën deri maksimumi 75 milionë, megjithatë nga “Anfield” vazhdojnë të përsërisin se sulmuesi në fjalë nuk do të largohet për më pak se 80 milionë euro.

Liverpool-i nuk ka nxitim, Díaz ka kontratë deri në vitin 2027 dhe vazhdon të jetë pjesë e planeve teknike të Arne Slot, edhe pse nuk është përdorur në testet e para të verës. Mbërritja e Hugo Ekitike si sulmuesi i ri nuk nënkupton automatikisht largimin e ish-lojtarit të Portos.

Një tjetër pikë kyçe e tratativës është paga. Díaz është një nga lojtarët më pak të paguar ndër titullarët e Liverpool-it (rreth 3.3 milionë euro neto në vit), ndërsa Bayerni është i gatshëm t’ia katërfishojë pagën, duke i ofruar 14 milionë euro neto në vit, pra rreth 290 mijë euro në javë. Për këtë arsye, sipas “Bild”, gjermanët janë shumë optimistë.

Ndërkohë, Liverpool-i vazhdon përgatitjet në Azi. Pas miqësores së të shtunës kundër Milanit, kampionët anglezë do të përballen me Yokohama F. Marinos në Japoni, më 30 korrik, përpara se të kthehen në shtëpi për sprovat e fundit para sezonit, si ajo kundër Athletic Club më 4 gusht në “Anfield”.

 

The post Díaz, gjithnjë e më afër Bayern Munich. Kolumbiani joshet nga paga 4 herë më e madhe se e tanishmja appeared first on Telesport.