Diaspora shqiptare në SHBA organizon pritje të përzemërt për presidentin Begaj

Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, iu rezervua një pritje e përzemërt nga komuniteti shqiptar në Philadelphia, të cilën e vizitoi ndërsa ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Forumin për Partneritet dhe Paqe dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton.

Pritja u organizua nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes”.

Begaj i përgëzoi ata për mësimin e gjuhës shqipe në shkollën e hapur nga kjo shoqatë. Gjatë takimit, presidenti risolli në vëmendje rrugëtimin e diasporës, duke veçuar aktivizimin e atdhetarëve që i dhanë jetë çështjes shqiptare përmes institucioneve politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të Amerikës që nga fundi i shekullit XIX.

Gjithashtu, i pari i vendit shqiptar vlerësoi edhe iniciativat e shqiptarëve për ngritjen e shoqatave dhe rrjeteve të bashkëpunimit mes njëri-tjetrit, me synim integrimin e shqiptarëve në shoqërinë amerikane, duke ruajtur njëkohësisht identitetin kombëtar, shkruan A2CNN, transmeton Klankosova.tv.

Një falënderim të posaçëm, Begaj përcolli dhe për autoritetet lokale amerikane në Philadelphia, të cilat kanë mbështetur projektet e Diasporës, përfshirë dhe emërtimin e “Willits Road” me emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Presidenti i Republikës vizitoi qendrën “Shtëpia e shqiptarit”, të ngritur nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, ku edhe takoi konsullin e nderit te sapo zgjedhur ne kete detyre mjekun e njohur Gentian Toshkezi.