Dhuna në familje mbetet një nga sfidat kryesore në Kosovë, dhe për të mbrojtur viktimat ka nisur vendosja e hallkave elektronike. Sipas policisë së Kosovës deri në tetor të këtij viti janë vendosur 28 sosh.
Vetëm deri në muajin nëntor të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar 2 mijë e 169 raste të dhunës në familje.
Për të mbrojtur viktimat dhe për të parandaluar shkeljen e urdhrave mbrojtës, është vendosur të zbatohet mekanizmi i hallkave elektronike.
E deri gjatë muajit tetor, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të tilla hallka janë vendosur 28 sosh.
Avokati Anton Nrecaj thotë se Ligji ka filluar të zbatohet, por ende është në fazën fillestare.
“Zbatimi i ligjit për mbikëqyrjen elektronike më në fund e ka një sinjal pozitiv që nënkupton që ky ligj ka filluar të zbatohet me gjithë mangësitë e veta por që është diçka shumë pozitive mirëpo zbatimi i këtij ligji që e kemi situatën në Prizren ku ka filluar të zbatohet ligji, kemi pak raste deri më tani dhe akoma nuk i kemi informacionet e sakta se cilat janë mangësitë apo dobësitë e zbatimit të mbikëqyrjes elektronike për raste të caktume e sidomos për rastet e dhunës në familje por po mendoj që akoma është një fazë fillestare që të gjenden mangësitë në mënyrë që të fillohet”, thotë ai.
Por cila është rëndësia e këtyre hallkave elektronike?
“Kemi pasë raste të viktimave në të cilat është kërku dhe është aprovu vendosja e këtyre hallkave dhe ka shfrytëzu si një mekanizëm i rëndësishëm në aspektin e mbikqyrjes dhe parandalimit të dhunës ku viktima është njoftu në momentin kur kryerësi i viktimës ka qenë në distancë të afërt ose në distancën që nuk lejohet të jetë si e tillë”, tregon hulumtuesja në IK, Arrita Rezniqi.
Ligji për mbikëqyrjen elektronike ka hyrë në fuqi në vitin 2015, mirëpo ka filluar të zbatohet që nga tetori i vitit të kaluar./teve1










