Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Kushtrim Ahmeti, ka folur lidhur me problemet e fundit në furnizimin me energji elektrike.
Ai ka shtuar se reduktimet e shpeshta dhe mungesa e paralajmërimeve po u shkaktojnë dëme serioze bizneseve në vend.
Ahmeti tha se gjatë ditëve të fundit ka pasur ankesa të shumta nga bizneset.
“Këto ditë ka pas probleme me reduktime dhe po ankohen shumë që s’ka paralajmërim për ndaljen e rrymës se me orë të tëra po ka mungesë të energjisë të paktën duhet të lajmërohen që mos të përballën me dëme që po u shkakton kjo situatë”, u shpreh Ahmeti.
Sipas tij, kjo gjendje po e rrit ndjeshëm koston e operimit për bizneset.
“Kjo situatë e rritë koston se biznesi i ka dy zgjidhje ose të ndërpres të gjithë punën ose të angazhohet për të mbushur gjeneratorët , dhe kjo nuk është zgjidhje”, ka thënë ai.
Ai paralajmëroi se Kosova rrezikon të përsërisë situatën e vitit të kaluar, kur vendi u përball me kolaps të plotë energjetik.
“Duket se jemi duke shkuar në rrugën e njëjtë si vitin e kaluar që kemi pas kolaps total. Është papërgjegjshmëri totale nga institucionet që nuk po reagojnë”, deklaroi Ahmeti për “Front Online”.










