Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, e shqetësuar me vendimin e ShBA-së për Kosovën

Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 ka shprehur shqetësimin e saj mbi deklaratën e fundit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, duke vlerësuar se tensionet politike dhe mosfunksionimi i plotë institucional mund të prodhojnë pasoja serioze për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Zhvillimi ekonomik i Kosovës, sipas G7, është i pandarë nga sundimi i ligjit, funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve dhe respektimi i plotë i normave kushtetuese.

“Në mungesë të një mjedisi të tillë, investimet e huaja dhe vendore pësojnë rënie, ndërmarrjet përballen me barriera të shumta dhe besimi i tregjeve në Kosovë dëmtohet ndjeshëm. Një klimë e pasigurisë politike jo vetëm që ngadalëson proceset reformuese, por gjithashtu ul nivelin e konkurrueshmërisë së vendit në rajon dhe komprometon perspektivat për zhvillim të qëndrueshëm. Në këtë kuadër, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që përbëjnë bazën e ekonomisë,  janë më të ekspozuarat ndaj pasojave të paqëndrueshmërisë”, thotë G7 në një reagim dërguar mediave.

Tutje, theksohet se sidomos ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë përballen me sfida të theksuara në sigurimin e qasjes në financa, planifikimin afatgjatë të investimeve dhe zgjerimin e kapaciteteve të tyre.

“Këto kufizime përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për rritjen ekonomike dhe pengojnë shfrytëzimin e plotë të potencialit zhvillimor të vendit”, u tha në këtë reagim.

Sipas G7, çdo dobësim i marrëdhënieve me këta partnerë strategjikë do të kishte pasoja të rëndësishme, duke vonuar zbatimin e projekteve zhvillimore dhe duke reduktuar mundësitë për mbështetje financiare dhe teknike.

G7 apeloi për vazhdimin e angazhimit aktiv dhe konstruktiv të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, në mbështetje të stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës. /Klankosova.tv