Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të rinis sa më parë. Ky është edhe insistimi i SHBA’së dhe Gjermanisë, shtete këto që janë duke bërë përpjekje që të zhbllokojnë bisedimet dhe të rikthejnë Prishtinën dhe Beogradin në tryezën e bisedimeve.
SHBA’ja ka caktuar Matthew Palmer si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, i cili ka deklaruar se dialogu për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë pikë kryesore e agjendës së tij.
Përveç caktimit të Palmer, në Kosovë sot do të mbërrijnë edhe dy senatorë amerikan, të cilët vijnë në Prishtinë për të vetmen arsye, dialogun Kosovë-Serbi.
Për të njëjtën çështje, Kosovën dje e ka vizituar edhe deputeti i CDU’së se kancelares gjermane Angela Merkel, Peter Beyer, i cili bëri thirrje për rinisje të dialogut, duke ripërsëritur qëndrimin gjerman se janë kategorik kundër idesë së korrigjimit të kufijve.
Peter Beyer teksa ka folur për vendimin e SHBA’së që të caktojë një përfaqësues special për Ballkanin, duke thënë se do të ishte mirë që edhe Bashkimi Evropian të caktonte një përfaqësues të tillë që do të merrej vetëm me dialogun.
Ndërkohë dialogu pritet që të rinis në fund të këtij viti, saktësisht në muajin dhjetor. Një gjë të tillë e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, pas një takimi që ka pasur në Brdo, me zv.ndihmës sekretarin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer.
Daçiq ka thënë se ka pritje që të ketë bisedime më intensive nga dhjetori, duke shtuar se pret presion më të madh nga SHBA’ja drejt Prishtinës për të hequr taksën dhe për të krijuar kushte për vazhdimnin e dialogut.
“Pritjet e tyre janë që këto bisedime të intensifikohen. Kemi një periudhë tranzicioni në Bashkim Evropian, nga Mogherini tek Josep Borell dhe më pas do të jenë edhe zgjedhjet në Serbi”, ka thënë Daçiq.
Ditë më parë në Ëashington ka qëndruar presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili është takuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, e me të cilin kanë biseduar për rinisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Siç është raportuar në mediat gjermane, thuhet që Pomepo i ka bërë presion të madh Vuçiqit që të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ndërkohë është thënë që SHBA’ja është duke kërkuar që të gjendet një zgjidhje deri në verën e vitit 2020.
Ekspertë të ndryshëm një afatizim të tillë po e shohin të ndërlidhur me zgjedhjet presidenciale në ShBA, pasi që sipas tyre Trump kërkon të shfrytëzojë rezultatin në fushatën e tij.
Përveç kësaj janë ngritur shqetësime që mund të rikthehet në tryezë përsëri ideja për shkëmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve.
Për një gjë të tillë ka folur ditë më parë euro deputeti sllovak, Eduard Kukan.
“Unë pres që çështja e njohjes së Kosovës përmes idesë së shkëmbimit të territoreve do të kthehet prapë. Sido që të jetë, ajo mund të destabilizojë fqinjët e Bosnje e Hercegovinës” ka thënë Kukan teksa ka treguar kundërshtinë e tij për një ide të tillë të prekjes së kufijve.
Për rikthimin e idesë së ndarjes së Kosovës ka ngritur shqetësime edhe profesori amerikan, Edward Joseph.
“A është për të shpejtuar përpjekjet për të arritur një zgjidhje të rrezikshme për ndarjen e Kosovës? Nëse po si do të adresohen aspektet negative të kësaj ideje. Po në lidhje me paralajmërimet publike, jo vetëm nga ekspertë si unë por edhe nga zyrtarë të vendeve fqinje në rajon se ata do të duhet të jetojnë me pasojat e një zgjidhje të tillë . Si do të tejkalohet kundërshtimi nga disa vende, veçanërisht nga Gjermania?” pyet eksperti për Ballkanin.