Viti 2025 ishte një nga vitet më të vështira financiarisht për Komunën e Prishtinës, i shënuar nga mungesa e buxhetit të miratuar me kohë, bllokimi i pagesave dhe paralizimi i disa shërbimeve publike. Megjithatë, pikërisht në fund të vitit, në muajin dhjetor, Komuna arriti të realizojë shpenzime në një nivel që bie në kontrast të fortë me muajt paraprakë, shkruan Demokracia.com.
Sipas dokumenteve zyrtare të shpenzimeve buxhetore që i ka parë Demokracia.com, vetëm gjatë muajit dhjetor 2025, Komuna e Prishtinës ka shpenzuar gjithsej 66,985,306 euro, një shumë që tejkalon shumëfish shpenzimet mujore të realizuara gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit. Për krahasim, në nëntor 2025 shpenzimet totale kishin arritur në rreth 7.7 milionë euro, në tetor rreth 5 milionë euro, ndërsa në shtator rreth 7.1 milionë euro, etj.
Një nga elementet kyçe që shpjegon pjesërisht këtë rritje të menjëhershme të shpenzimeve është bartja e mjeteve vetanake nga viti paraprak. Sipas të dhënave, rreth 28 milionë euro të shpenzuara në dhjetor 2025 janë mjete të pashfrytëzuara të vitit 2024, të cilat ishin votuar më herët në Kuvendin Komunal dhe u bartën për përdorim në fund të vitit 2025.
Këto mjete u shfrytëzuan në një moment kur Komuna kishte muaj të tërë që përballej me pamundësi për të kryer pagesa bazike, duke përfshirë obligimet ndaj operatorëve ekonomikë dhe shërbimeve publike. Praktikisht, dhjetori u shndërrua në muajin e “shlyerjes së borxheve”, ku pagesat e grumbulluara gjatë vitit u realizuan njëherësh.

Një tjetër kategori që bie në sy në raportin e dhjetorit është ajo e të hyrave vetanake, të cilat në këtë muaj arrijnë në mbi 23 milionë euro. Megjithatë, dokumenti nuk ofron sqarim të detajuar se nga cilat burime konkrete burojnë këto të hyra, duke lënë të paqartë nëse bëhet fjalë për arkëtime reale gjatë dhjetorit apo për regjistrim kontabël të mjeteve të bartura apo të akumuluara më herët.
Përveç mjeteve të bartura dhe të hyrave vetanake, në dhjetor 2025 Komuna ka shfrytëzuar edhe grante qeveritare, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve mujore. Një pjesë e madhe e këtyre mjeteve janë orientuar drejt shpenzimeve kapitale, të cilat vetëm në dhjetor arrijnë në rreth 58 milionë euro, një nivel i paprecedent për një muaj të vetëm.
Në muajt paraprakë, shpenzimet kapitale kanë qenë dukshëm më të ulëta: rreth 1.3 milionë euro në shtator, 314 mijë euro në tetor, dhe vetëm 207 mijë euro në nëntor. Ky ndryshim drastik tregon se projektet dhe pagesat kapitale janë grumbulluar dhe realizuar pothuajse të gjitha në fund të vitit, pas një periudhe të gjatë bllokade.
Ironia e situatës qëndron në faktin se Komuna e Prishtinës, e cila për muaj të tërë raportonte mungesë fondesh dhe pamundësi për funksionim normal, arriti që brenda një muaji të shpenzojë pothuajse sa shpenzimet e disa muajve të marrë së bashku. Ndërkohë që qytetarët dhe shërbimet publike e përjetuan krizën gjatë gjithë vitit, zgjidhja financiare erdhi vetëm në fund, kryesisht përmes bartjes së mjeteve të vjetra dhe pagesës së borxheve të akumuluara. /Demokracia.com/.










