Dhjetëra mijëra njerëz protestojnë në Tel Aviv, kryeministri izraelit përballet me presion në rritje në vend

Dhjetëra mijëra izraelitë kanë vazhduar protestat në qendër të Tel Avivit për të kërkuar një marrëveshje që do të siguronte lirimin e të gjithë pengjeve në Rripin e Gazës dhe fundin e luftës, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.

Demonstruesit e mbledhur në Sheshin e Pengjeve i bënë thirrje qeverisë të ndalojë luftimet dhe të angazhohet për një marrëveshje për rikthimin e pengjeve që mbahen në Gaza.

Pavarësisht se protesta pasqyroi zhgënjimin në rritje për konfliktin e vazhdueshëm dhe shqetësimet për sigurinë e pengjeve, thirrjet e bëra pothuajse çdo javë akoma nuk kanë dhënë rezultatin e dëshiruar.

Hamasi vazhdimisht ka pohuar gatishmërinë e tij për të liruar të gjithë pengjet izraelite “në një grup” në këmbim të përfundimit të gjenocidit dhe tërheqjes së forcave izraelite në Gaza.

Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, u tërhoq nga finalizimi i marrëveshjes së fundit dhe rifilloi luftën më 18 mars.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.

The post Dhjetëra mijëra njerëz protestojnë në Tel Aviv, kryeministri izraelit përballet me presion në rritje në vend appeared first on Kosovapost.net.