Dhjetëra izraelitë, të cilët kanë uzurpuar tokat palestineze, bastisën xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, hyrja e grupit fanatik izraelit në oborrin e Al-Aksasë u krye nën vëzhgimin dhe mbrojtjen e policisë izraelite.
Dhjetëra izraelitë hynë në grupe, duke bërë xhiro provokuese në oborrin e xhamisë Al-Aksa dhe duke kryer “ritualet talmudike” gjatë bastisjes.
– Bastisjet ndaj xhamisë Al-Aksa
Sipas marrëveshjes së paqes të nënshkruar mes Izraelit dhe Jordanisë më 26 tetor 1994, xhamia Al-Aksa ndodhet nën kujdesin e Administratës së Vakëfeve Islame të Kudsit, e cila është e lidhur me Ministrinë e Vakëfeve, Çështjeve Islame dhe Vendeve të Shenjta të Jordanisë.
Që nga viti 2003 e deri më sot, izraelitët nën shoqërimin e policisë hyjnë në vendet e shenjta me vendimin e njëanshëm të Izraelit, pa lejen e Administratës. Administrata e Vakëfeve Islame të Kudsit këto hyrje i cilëson si bastisje dhe thekson se po shkelet sovraniteti i muslimanëve.
Izraelitët po kryejnë gërmime nën kompleksin e xhamisë Al-Aksa e cila përfshin xhaminë e Kiblës dhe xhaminë e Kupolës së Shkëmbit, si dhe një muze, medrese dhe një oborr të madh, duke pretenduar se aty ndodhen “rrënojat e tempullit të Solomonit”.
Qeveria izraelite mbron idenë se po ruhet “status quo”-ja historike në xhaminë Al-Aksa në të cilën “mund të kryejnë adhurime vetëm muslimanët dhe anëtarët e feve të tjera vetëm mund të zhvillojnë vizita”.
Por, kolonët fanatikë hebrenj janë kapur shpesh në kamera duke u lutur dhe duke kryer rituale fetare gjatë bastisjeve që ata kryejnë në Al-Aksa nën mbrojtjen e policisë izraelite.
The post Dhjetëra izraelitë që uzurpojnë tokat palestineze bastisën xhaminë Al-Aksa appeared first on Kosovapost.net.