Dhjetë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve, nëntë viktima gra

Policia e Kosovës ka raportuar për dhjetë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit, ku nëntë nga viktimat kanë qenë gra.

Dy raste janë shënuar në Prishtinë. Në njërin, një burrë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje, e cila ka marrë trajtim mjekësor.

Në rastin tjetër, një grua ka kërkuar urdhër mbrojtës pasi është kanosur dhe i është shkaktuar dhunë psikike nga një burrë. Ky i fundit është arrestuar, por më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Në Istog janë raportuar dy raste. Në njërin, katër persona (tre burra dhe një grua) janë arrestuar pasi kanë sulmuar fizikisht një grua dhe një burrë, të cilët kanë marrë tretman mjekësor.

Dy nga të dyshuarit janë liruar, ndërsa dy të tjerë janë dërguar në mbajtje. Në rastin tjetër, dy gra dyshohet se kanë ushtruar presion psikik dhe kanë kanosur një tjetër grua, por policia nuk i ka gjetur gjatë kërkimit. Rasti është në hetim.

Tri raste janë regjistruar në Pejë. Në njërin, një burrë është arrestuar për dhunë psikike ndaj bashkëshortes.

Në rastin e dytë, një burrë që dyshohet se për një kohë të gjatë ka ushtruar dhunë psikike është shoqëruar në stacion policor dhe i është lënë liria në procedurë të rregullt. Ndërsa në rastin e tretë, një burrë është arrestuar për dhunë psikike dhe dëmtim të orendive shtëpiake.

Një rast tjetër është raportuar në Gjakovë, ku një grua dhe një burrë janë arrestuar pas një mosmarrëveshjeje me një grua tjetër, të cilës i kanë shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Malishevë, një burrë është shoqëruar në polici pasi ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje, e cila ka deklaruar se ditë më parë ishte sulmuar edhe nga një tjetër grua. Edhe ky rast po trajtohet në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Vushtrri është raportuar se një grua është kanosur nga një burrë.

Nuk ka pasur të arrestuar dhe rasti mbetet nën hetime.