Dhjetë ditë pas njoftimit – shërbimet shtetërore online ende jashtë funksionit

Edhe pse Ministria e Punëve të Brendshme më 28 nëntor kishte njoftuar se punimet teknike në infrastrukturën shtetërore të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) do të përfundonin brenda fundjavës, shumë faqe publike të institucioneve të Republikës së Kosovës vazhdojnë të mos jenë të qasshme edhe dhjetë ditë pas njoftimit zyrtar, shkruan Demokracia.com.

Në komunikatën fillestare, MPB-ja kishte bërë të ditur se Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI) po realizonte punime për avancim të performancës dhe sigurisë së sistemeve, duke paralajmëruar mundësi ndërprerjesh të përkohshme të shërbimeve online.

Megjithatë, qasja në një numër të konsiderueshëm faqesh institucionale ende nuk është rikthyer, duke pamundësuar qytetarët, bizneset dhe mediat që të kenë akses në informata publike, dokumente, formularë, shërbime administrative dhe të dhëna zyrtare.

Kjo situatë ngrit shqetësime për transparencën dhe funksionalitetin e shërbimeve elektronike, sidomos duke marrë parasysh rolin kritik të këtyre platformave për komunikim institucional dhe ofrim shërbimesh për qytetarë.

Deri tani nuk është lëshuar ndonjë sqarim i ri publik se përse punimet kanë tejkaluar afatin e parashikuar dhe kur pritet rikthimi i plotë i shërbimeve digjitale të shtetit. /Demokracia.com/