Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për njërin nga të dyshuarit, Xh.K., të përfshirë në rastin në Malishevë, ku një 35 vjeçare vdiq kur po trajtonte dhëmbin në një nga klinikat dentare të kësaj komune. Ndaj të dyshuarës tjetër, H.K., e motra e Xh.K., është caktuar arrest shtëpiak, po ashtu për një muaj.
Përmes një komunikate për media, Gjykata ka sqaruar edhe shkakun e vdekjes së pacientes në fjalë, e që ka ndodhur si pasojë e ilaqeve të përdorura për trajtimin e dhëmbit, nga i dyshuari Xh.K., i cili bashkë me H.K., operonin ilegalisht, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Metodat e përdorura për trajtim kanë rezultuar të papërshtatshme, e që tashmë të ndjerës ia humbën vetëdijen, e eventualisht ia shkaktuan edhe vdekjen.
Urdhri që strukturat paralele ta lirojnë objektin, Brukseli i reagon Mitrovicës së Veriut
“Me datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” në Malishevë, në cilësinë e stomatologut gjatë dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësorë përdorë metoda të papërshtatshme të mjekimit ndaj tani të ndjerës L. Sh. nga fshati N., Komuna e Malishevës, në atë mënyrë që pasi që e njëjta shkon në ordinancën e cekur më lartë për ta hequr një dhëmbë, këtu i pandehuri përdorë medikamentet si calcium, lemod-solu, alergosan, e ku pas heqjes së dhëmbit me të dal pacientja – e ndjera në oborr të ordinancës i keqësohet gjendja- humb vetëdija, me të shpejtë dërgohet në QKMF-Malishevë, e ku me pas e njëjta ka ndërruar jetë si shkak i metodave dhe terapisë së përdorur nga ana e të pandehurit”.
Arresti shtëpiak për H.K., motrën e të pandehurit Xh.K., vjen pasi e njëjta punonte në këtë ordinancë ilegale pa kurrëfarë kualifikimi mjekësor. Sipas Gjykatës, ajo me profesion është rrobaqepëse.
“Me datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” Në Malishevë, pa kualifikim mjekësor kryen trajtime mjekësore e cila është e regjistruar si Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë në emër të pandehurës, ndërsa e njëjta ka të kryer shkollimin fillore, me profesion rrobaqepëse, e ku në ordinancën e cekur më lartë, pas trajtimit mjekësor të dhënë nga vëllai i të pandehurës- i pandehurit Xh. K., ka ndërruar jetë tani e ndjera L. Sh”.
35-vjeçarja nga fshati Ngucat i Malishevës, jetonte në Itali ndërsa la pas burrin dhe katër fëmijë.
Ajo ndodhej për pushim në Kosovë, kur shkoi në një klinikë private në Malishevë për të hequr një dhëmb që po i shkaktonte dhimbje.