Detaje nga vrasja e së shtunës në Podujevë

Mbrëmjen e së shtunës Podujeva u trondit nga një vrasje e rëndë.

Një nga rrugët e fshatit Llapashticë e Epërme, u kthye në skenë krimi.

Bashkim Spahiu mbeti i vrarë, pasi u qëllua me disa plumba nga i dyshuari Arbër Havolli, i cili tash ndodhet në arrati.

Vrasja ndodhi pak metra larg shtëpisë së dorasit.

Vdekja e viktimës u konstatua në vendin e ngjarjes, kurse me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Pavarësisht se shkaqet ende nuk janë zbuluar, dyshohet se konflikti lindi nga një mospajtim i çastit mes palëve.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes po vazhdojnë nga njësitet relevante të Policisë, si dhe të Prokurorisë.

Për vrasjen e rëndë, akoma nuk ka asnjë person të arrestuar.

“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar, në rrethana ende të pa njohura dyshohet se ka vrarë në veturë viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML. I dyshuari gjendet në arrati. Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Sot, familja Spahiu në Gllamnik të Podujevës hapi dyert për të pame, ndërsja dhimbja dhe heshtja mbizotëronin në ambientet e familjes.

Ekipi i televizionit ka tentuar të marrë një qëndrim nga të afërmit e viktimës, por familjarët nuk kanë pranuar të flasin, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe gjendjes së rëndë emocionale.

Nga ana tjetër në shtëpinë e dorasit, pak metra larg vendit të ngjarjes po vazhdojnë të qëndrojnë njësite të Policisë së Kosovës, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë.