Dështon seanca, opozita me akuza ndaj kryesuesit për shkelje të Kushtetutës

Për herë të 39-të, deputetët e legjislaturës së nëntë kanë dështuar sërish të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Partitë opozitare kanë refuzuar sërish votimin e fshehtë të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e quajtur ndër të tjera shkelje me vetëdije të Kushtetutës.

Vazhdimi i radhës erdhi pas takimit të së shtunës të liderëve të partive të përfaqësuara në Kuvend, i cili takim nuk prodhoi asgjë konkrete sa i përket arritjes së një marrëveshje të mundshme për daljen e vendit nga ngërçi i krijuar politik për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk i kanë votat për Albulena Haxhiun kryetare e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa akuzuan Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës se po keqinterpretojnë aktgjykimin e fundit të Kushtetueses mbi konstituimin e Kuvendit, duke këmbëngulur në formimin e komisionit për mbikëqyrjen e procesit të fshehtë të votimit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka thënë se do të ketë shkelje kushtetuese nëse do të shkohet sërish me formatin e deritanishëm të seancës për propozimin dhe hedhjen në votim të komisionit për votim të fshehtë.

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë se mos respektimi i aktvendimit të Kushtetueses mbi daljen e vendit nga kriza politike është hapi i parë i përmbytjes së rendit kushtetues dhe se fajtor për këtë është Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i kësaj të fundit tha se PDK-ja dhe LDK-ja e kanë “keq lexuar” aktgjykimin e Kushtetueses dhe nëse nuk votohet Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit me votim të fshehtë ajo do të tërhiqet nga kandidatura.

Ndryshe, Kushtetuesja ditën e enjte ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

The post Dështon seanca, opozita me akuza ndaj kryesuesit për shkelje të Kushtetutës appeared first on Kosovapost.net.