Dështon seanca ndaj Sladan Trajkoviq që akuzohet për krime lufte

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte Sladan Trajkoviq, pasi që avokatët Dejan Vasiq dhe Jelena Krivokapiq, kanë revokuar autorizimin e tyre si mbrojtës të tij.

Këtë gjë bëri të ditur kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk prezantohen avokatët Dejan Vasiq dhe Millena, ku kjo gjykatë, me anë të parashtresës nga dy avokatët e lartcekur, është njoftuar se të njëjtit kanë revokuar autorizimin për të akuzuarin dhe nuk do të jenë më mbrojtës të tij në këtë çështje penale”, tha gjyqtari Arrni.

Lidhur për këtë, i akuzuari Trajkoviq tha që kjo nuk është as morale dhe as etike nga ana e mbrojtjes.

“Pas 29 muajsh nuk mund të hiqet dorë ashtu. Nuk është as etike dhe as morale që, përnjëherë, të dy avokatët të tërheqin dorë nga mbrojtja dhe tani jemi në një pozicion shumë të vështirë. Edhe mbrojtësi i ri ka nevojë për kohë që të njoftohet me lëndën, sepse nuk është në dijeni për rastin”, tha Trajkoviq.

Gjyqtari Arrni njoftoi të akuzuarin që për veprën për të cilin ai akuzohet, mbrojtja është e detyrueshme.

“Gjykata njofton të akuzuarin se për veprën penale për të cilën akuzohet, mbrojtja është e detyrueshme, prandaj seanca nuk mund të vazhdojë pa avokat. Andaj, e pyet të akuzuarin nëse do të angazhojë mbrojtës vetë, apo nëse nuk dëshiron vetë të angazhojë ndonjë mbrojtës, gjykata do të duhet të angazhojë një mbrojtës sipas detyrës zyrtare”, shtoi gjyqtari.

Tutje, ai shtoi se përmes avokatit Dejan Vasiq, ai ka autorizuar edhe një avokat tjeter, Zhivojin Jokanoviq, mirëpo nuk e di nëse i njejti do ta përfaqësoj atë në këtë çështje, mirëpo ai kërkoi kohë në atë mënyrë që familja e tij të kërkoj një mbrojtës.

Pasi që nuk kishte kushte që kjo seancë të mbahet e njejta u ndërpre, për të vazhduar një datë tjetër.

Po ashtu, seancat e planifikuara për këtë çështje u anuluan duke i dhënë kohë të mjaftueshme për të angazhuar një avokat.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.