Pas humbjes së rëndë 4-1 ndaj Seville, që i kushtoi Barcelonës kreun e La Liga-s, Robert Lewandowski është bashkuar me kombëtaren polake për sfidën kualifikuese të Botërorit 2026 kundër Lituanisë, si dhe miqësoren ndaj Zelandës së Re. Në konferencën për shtyp, përkrah trajnerit Jan Urban, sulmuesi 37-vjeçar mbajti një ton optimist, pavarësisht zhgënjimit të fundit në “Sánchez Pizjuán”.
“Ndeshje të tilla ndodhin, është pjesë e futbollit. Jo gjithmonë shkon gjithçka siç dëshiron, – tha ai, duke iu referuar edhe penalltisë së humbur që mund t’i kishte dhënë Barcelonës mundësinë për t’u rikthyer në lojë (barazuar 2-2). – Penalltitë e humbura janë pjesë e këtij sporti. Sot dhemb, por shpresoj që do të reagojmë pozitivisht. Situata të tilla mund të na forcojnë”.
Ai foli edhe për gjendjen e ekipit: “Në dhomën e zhveshjes ka dëshirë për ta harruar këtë zhgënjim, por duhet ta tregojmë në fushë”. Një mesazh i qartë që tregon vendosmërinë e lojtarëve të Barcelonës për ta kthyer këtë dështim në motivim për ndeshjet e ardhshme në kampionat dhe Europë.
The post Dështoi te penalltia, Lewandowski: Ndeshje si ajo në Seville ndodhin, janë pjesë e futbollit appeared first on Telesport.










