Dështoi për deputet, por po bëhet drejtor në Ministri

Mandatin në detyrë, pushteti po e shfrytëzon t’i rehatojë militantët dhe aktivistët politik.

Lendrit Iljazi, bashkëthemelues i partisë “Guxo”, anëtar i Kryesisë dhe Kryetar i Forumit Rinor si dhe ish-këshilltar politik i kryediplomates në detyrë Donika Gërvalla-Schwarz, është në rrugë për t’u sistemuar në administratën shtetërore.

Kjo përmes një konkursi që i siguron ish-kandidatit, që dështoi të bëhet deputet më 9 Shkurt, punësimin “e përhershëm” si shërbyes civil, shkruan gazeta online Reporteri.net. Madje, jo në pozitë dosido, por hiq më pak se Drejtor i Departamentit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, që drejtohet nga Elbert Krasniqi.


Sipas njoftimit të MAPL-së, Iljazi është kandidati i vetëm që ka kaluar me sukses testin me shkrim për pozitën e Drejtorit të Departamentit për Demokraci Lokale dhe Bashkëpunim Ndër-Komunal. Njoftimi mbanë datën e 30 majit.

Në lidhje me procesin, gazeta online Reporteri.net ka provuar që të kontaktojë me Iljazin, por telefoni i tij gjatë së enjtes ka qenë i pa qasshëm.

Lendrit Iljazi në zgjedhjet e fundit në Kosovë, si kandidat i Guxo’s në listën e Vetëvendosjes, i kishte marrë 13 mijë e 304 vota, të cilat nuk i siguruan atij një ulëse në Kuvend.

Në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje, në prezantimin e tij thuhet se Lendrit Iljazi është edhe bashkëthemelues i partisë Guxo, përveç se anëtar i Kryesisë dhe Kryetar i Forumit Rinor.

“Gjatë mandatit të qeverisë “Kurti 2,” ai ushtron detyrën e Këshilltarit Politik të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në këtë rol, Lendriti është angazhuar në zhvillimin e diplomacisë ekonomike dhe fuqizimin e programeve për mërgatën. I lindur më 25 prill 1995 në Zgatar, Dragash, Lendriti ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin Ekonomik, ku ka fituar titullin Bachelor në Menaxhment dhe Informatikë. Përkushtimi i tij ndaj të drejtave të të rinjve është pasqyruar në kontributin në shoqërinë civile, duke promovuar punën vullnetare dhe fuqizimin e rinisë për pjesëmarrje aktive në vendimmarrje.”, thuhet në faqen e LVV-së.

Po ashtu, në profilin e tij thuhet se në karrierën e tij politike dhe institucionale, ai ka qenë pjesë e kabinetit të Presidencës së Republikës së Kosovës.

“Fokusi i tij në politikë qëndron në fuqizimin e të rinjve, duke krijuar mundësi për arsim profesional, mbështetje për start-up-e, punësim dhe përfshirje aktive në vendimmarrje. Me përvojën e tij në diplomacinë ekonomike, Lendriti synon të forcojë lidhjet ekonomike mes mërgatës dhe Kosovës dhe të tërheqë investime të huaja për vendin. Gjithashtu, ai është i angazhuar për zhvillimin e agroturizmit dhe ndërmarrësisë si shtylla të rëndësishme të ekonomisë. Gjatë fushatës së tij, ai synon të angazhohet me përkushtim të veçantë në komunën e Dragashit dhe në të gjitha fshatrat e kësaj komune”.

Në të kaluarën, Iljazi e ka një rast të evidentuar të sulmit ndaj mediave dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK). Në një postim në Facebook, ai e kishte akuzuar AGK-në se është shndërruar në “strehë të atyre që përdorin median për shantazh dhe interesa personale”, duke e cilësuar atë si një organizatë që nuk përfaqëson më profesionin e gazetarisë.

Ai i kishte mbrojtur edhe sulmuesit tjerë të gazetarëve, duke thënë se “t’i quash mercenarë të mashtrimit disa individë që sistematikisht gënjejnë publikun, nuk është fyerje – është përshkrim i saktë.”

Iljazi i cili del të jetë shumë aktiv në sulme në rrjetet sociale, në ditën kur Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e intervistun kryetarin e partisë së tij si i dyshuar për korrupsion, e kishte sulmuar edhe sistemin e drejtësisë në vend.

“Ministri Faton Peci është shembulli më i qartë i përkushtimit dhe integritetit në shërbim të qytetarit. Sot, ai po përballet me një përpjekje të ulët për ta njollosur pikërisht për shkak të angazhimit të tij të pandalshëm në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Kur drejtësia përdoret si mjet hakmarrjeje ndaj atyre që luftojnë shkeljet e ligjit, dëmtohet vetë besimi në shtetin ligjor. Por të drejtët nuk frikësohen. Puna, integriteti dhe e vërteta nuk lëkunden. Kjo është betejë për drejtësinë — dhe ajo nuk ndalet”, ka shkruar Iljazi.