Dështimi i 33’të në Kuvend, Kushtetuesja thotë se po i “shqyrton të gjitha aspektet e çështjes”: Njoftojmë me kohë

Sot për herën e 33’të ka dështuar konstituimi i kuvendit. Skenari qe i njëjti, komisioni për kalimin në votim të fshehtë nuk i mori votat e nevojshme. Për ndërrimin e mënyrës së votimit, para më shumë se një muaji, AAK i është drejtuar Kushtetueses, mirëpo akoma nuk ka përgjigje. Gjykata thotë se janë duke e shqyrtuar lëndën.

Në një përgjigje për Express Kushtetuesja ka thënë se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes.

“Kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga Gjykata. Vendimi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar në kërkesë dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigje.

Ehat Miftaraj nga IKD ka thënë se sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Kushtetuesja duhet të vendosë brenda prej 60 ditëve.

“Në rastin konkret, sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë brenda afatit prej 60 ditëve.Megjithatë, në praktika, jo në ta gjitha rastet Gjykata Kushtetuee ka arritur që ta respektojë këtë afat ligjor, ashtu që në disa raste, vendimmarrja ka zgjatur deri në mbi 1 vit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nëse Kushtetuesja vendos për papranueshmërinë e kësaj kërkese afati kohor i vendimmarrjes supozohet të jetë më i shkurtër.

“Nëse eventualisht Gjykata Kushtetuese vendos për papranueshmërinë e kësaj kërkese, afati kohor i vendimmarrjes supozohet të jetë më i shkurtër”, tha Miftaraj.

 

 

The post Dështimi i 33’të në Kuvend, Kushtetuesja thotë se po i “shqyrton të gjitha aspektet e çështjes”: Njoftojmë me kohë appeared first on Kosovapost.net.