Dështimi i 22-të për konstituim, Kuvendi del me një njoftim

Kuvendi i Kosovës ka dalë me njoftim lidhur me punimet e seancës së sotme, të 22’ës me radhë në përpjekje për konstituimin e Kuvendit.

Në njoftim thuhet se seanca dështoi meqë nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë. PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma, nuk kanë propozuar as sot deputetë për anëtarë të këtij komisioni.

“Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 54 deputetë, një votoi kundër, ndërsa abstenime nuk pati”, thuhet në njoftim.

Kryesuesi Avni Dehari ka njoftuar se Kuvendi do të vijojë punimet e seancës konstituive më 29 maj, në orën 11:00.

E propozuara e VV’së për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu.