Dështimi i 12’të për konstituim, Kuvendi del me njoftim për seancën e sotme

Për të dymbëdhjetën herë, ka dështuar konstituimi i Kuvendit. Seanca është ndërprerë sërish, për të vazhduar të premten nga ora 10:00, shkruan Reporteri.net.

Në faqen zyrtare, Kuvendi ka dalë më njoftim për punimet e kësaj seance.

Aty theksohet se që fillim të vazhdimit të sotëm kryesuesi Dehari përsëriti kërkesën për subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por serish nuk pati propozime.

Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.

“Kryesuesi Dehari konstatoi se 56 deputetë kanë votuar për, një kundër, ndërsa nuk kishte asnjë abstenim. Në këto rrethana ai njoftoi për ndërprerjen e seancës dhe paralajmëroi vazhdimin e saj të premten, më 9 maj, në orën 10:00”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Në momentin kur përbërja e Komisionit u hodh në votim, të pranishëm në sallë ishin 113 deputetë, ku rreth gjysma e tyre nuk morën pjesë fare në votim.

Kandidatja e VV’së për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV’së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie./Reporteri.net