Dështim total i shout me dronë për Vitin e Ri në Mal të Zi

Shou i dronëve që u planifikua si një spektakël i madh për festimin e Vitit të Ri në qiellin mbi Qytetin e Vjetër të Budvës përfundoi në mënyrë të paharrueshme, por jo siç pritej.

Gjatë performancës që duhej të ndriçonte natën e ndërrimit të viteve, u shfaq një problem teknik, për shkak të të cilit dronët filluan të bien njëri pas tjetrit para shumë qytetarëve të mbledhur aty. Rreth 600 dronë ranë në det dhe në platformat para Kapetanisë së Portit, ndërsa pamjet e këtij momenti u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale.

Policia e Budvës konfirmoi se ka kryer një hetim në vendngjarje dhe ka informuar Prokurorinë themelore në Kotor për incidentin. Fatmirësisht, askush nuk u plagos. Sipas informacioneve jozyrtare, dëmet materiale mund të arrijnë qindra mijëra euro.

Ky shou me dronë u parapri nga një fishekzjarr, por arsyeja e saktë e defektit që shkaktoi rënien masive të pajisjeve teknologjike ende nuk dihet. Autoritetet lokale, përfshirë Organizatat Turistike dhe Komunën e Budvës, nuk kanë dhënë shpjegime zyrtare për shkaqet e incidentit, raporton vijesti.me.

Sipas mediave malazeze, disa pohojnë se nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes së pajisjeve që pengojnë sinjalin, por këto pretendime nuk janë konfirmuar ende. Shou i dronëve, i cili duhej të ishte një nga momentet kryesore të festimeve të Vitit të Ri në Budva, përfundoi me zhgënjim për publikun dhe organizatorët.

Në fund, dronët u ngritën në disa dhjetëra metra lartësi përpara se të fillonin të binin pa kontroll në tokë dhe në det – një skenë që, sipas dëshmitarëve, vetëm me fat kaloi pa pasoja serioze për njerëzit.