Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Pierre Richard Prosper, ka deklaruar për Klan Kosovën se nuk ka qenë aspak e vështirë të bindeshin ish-zyrtarët e lartë amerikanë që të udhëtojnë në Hagë dhe të dëshmojnë në favor të ish-presidentit Thaçi.
Prosper tha se ata ishin të gatshëm menjëherë sapo u shpjegua situata dhe natyra e akuzave të Prokurorisë, duke i cilësuar ato si të pabazuara.
“Nuk ka qenë e vështirë, sepse kur ua shpjeguam situatën dhe cilat janë akuzat e Prokurorisë dhe kur diskutuam mbi kujtimet që kishin ata për ngjarjet, të gjitha kanë thënë menjëherë se kjo është e gabuar, këto nuk qëndrojnë. Kështu që ka qenë detyrë morale që të vijnë dhe tregojnë se çfarë dinë ngaqë kanë qenë pjesëmarrës aktiv. Kanë qenë të përfshirë ditë e natë, kësisoj treguan vullnet të mirë dhe erdhën me dëshirën e tyre. Sakrifikuan kohën e tyre për t’u siguruar që Gjykata do ta kuptojë realitetin.” – tha ai.











