Ish-ambasadori britanik, John Stewart Duncan, i cili ishte dëshmitari i tretë mbrojtës në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ka vlerësuar fjalët përfundimtare të mbrojtjes të paraqitura gjatë kësaj jave që po e lëmë pas.
Përmes një postimi në X, Duncan e ka quajtur “javë tejet domethënëse”, teksa ka shtuar se pret me padurim të dëgjojë përgjigjen e Prokurorisë ndaj dëshmisë së tij, raporton Klankosova.tv.
“Një javë tejet domethënëse në Dhomat e Specializuara. Pres me padurim që të dëgjoj prokurorinë të shpjegojë se si përmbledhja shumë e detajuar që e përmenda disa herë në dëshminë time përfaqëson ‘njohuri të pakta … mbi realitetin në terren’”, ka shkruar Duncan.
Prokuroria kishte vënë në dyshim peshën e dëshmive të disa diplomatëve dhe zyrtarëve të huaj, duke thënë se ata kishin informacione të kufizuara.
Diplomati britanik, John Stewart Duncan, ka dëshmuar në Hagë shtatorin e vitit të kaluar, teksa ka thënë, mes tjerash, se UÇK-ja nuk kishte hierarki ushtarake, dhe se Shtabi i Përgjithshëm ishte më shumë titull politik.










