Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar dëgjimi i dy dëshmitarëve, Liridon Ajazaj dhe Brendon Kurtaj në rastin e njohur si “Kobra” ku akuzohen Dibran Hoxha i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren. Të dy dëshmitarët thanë se nuk mbajnë mend thuajse asgjë për natën kritike pasi kanë qenë të dehur.
Në gjykatore me pranga në duar u soll i akuzuari, Dibran Hoxha i njohur me nofkën “Kobra”. Derisa të pranishëm ishin edhe të akuzuarit tjerë bashkë me mbrojtësit e tyre.
I pari që nisi dhënien e dëshmisë në seancën e sotme gjyqësore, ishte Liridon Ajazaj i cili fillimisht u shpreh se të akuzuarit i ka bashkëfshatarë, por nuk i njeh më konkretisht.
Ai gjatë gjithë dhënies së dëshmisë së tij e cila zgjatë më shumë se 30 minuta deklaroi se nuk mban mend asgjë pasi ka qenë i dehur.
Me dëshminë e tij dhënë në hetuesi dëshmitarin Ajazaj e ballafaqoi prokurorja e rastit, Merita Rugova, ku atëherë kishte deklaruar se tre persona kanë bërë rrëmujë në lokal dhe janë fjalosur.
Më pas dëshmitari vazhdoi të thotë se ka qenë i dehur dhe nuk i kujtohet.
I pyetur nga prokurorja se kur e kishte parë Dibran Hoxha, dëshmitari deklaroi se atë e kishte parë në momentin kur kishte arritur edhe Policia pasi kishte ndodhur ngjarja.
Me pyetje karshi dëshmitarit, Liridon Ajazaj vazhdoi edhe mbrojtësi i Dibran Hoxha, Florent Idrizi i cili po ashtu e ballafaqoi dëshmitarin me pjesë nga deklarata e tij dhënë në Polici në janarin e vitit 2023.
Edhe dëshmitari tjetër në këtë rast, Brendon Kurtaj u shpreh se për shkak se ka qenë i dehur nuk mban mend shumë për atë çka ndodhi në natën kritike ku mbet i vrarë një shtetas shqiptar.
Ai tha se i shoqëruar nga dy persona ka shkuar në lokalin “Kobra City” të cilët ishin larguar pas 5 minutash.
I pyetur nga prokurorja, Rugova se a i kujtohet se kush ka qenë në lokal, dëshmitari Kurtaj tha jo se ka qenë shumë i dehur.
Edhe ky dëshmitar nga avokati i Dibran Hoxhaj, Florent Latifi u përballë me një pjesë të dëshmisë së tij. Më pas ai e pyeti se klientin e tij a e kishte parë më herët në lokalin “Kobra City” dhe dëshmitari u shpreh se ‘e ka parë ndonjëherë’.
Pyetje për të dy dëshmitarët parashtroi edhe vetë i akuzuari, Dibran Hoxha i cili ndodhet në paraburgim.
Në seancën e sotme ishte e paraparë të dëgjoheshin edhe dëshmitarja Alketa Sejdiu dhe Hasime Idrizi. Por, ndonëse Gjykata kishte dhënë urdhër për të sillen nën shoqërimin e Policisë së Kosovës. Fillimisht nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi u tha se nuk kanë pranuar ndonjë informacion nga Policia. Por, më pas Krasniqi njoftoi se nga Policia e Kosovës i është bërë e ditur që nuk kanë zbatuar urdhrin gjyqësor, pasi për dëshmitaren Hasime Idrizi nuk është gjetura adresa e banimit, madje as banorët e rrethinës nuk e kanë njohur.
Më pas, prokurorja, Merita Rugova kërkoi që të lexohet deklarata e dëshmitares, Idrizi por më pas avokati i Dibran Hoxha, Florent Latifi kërkoi nga gjykata që të bëjë më shumë përpjekje për ta siguruar prezencën e dëshmitares në fjalë.
E trupi gjykues në rastin “Kobra City” vendosi që mos të lexohet në seancën e sotme dëshmia e Hasime Idrizit dhe urdhëroi verifikimin e adresës.
Seancat e radhës për rastin gjyqësor “Kobra City”, do të mbahen më 2, 4 dhe 15 pill.
Të akuzuarit për vrasjen e shtetasit shqiptar në më 3 janar në lokalin “Kobra City” në shqyrtimin fillestar ishin deklaruar të pafajshëm.
Dibran Hoxha i njohur si “Kobra”, Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli në shqyrtimin fillestar gjyqësor ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.