Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka komentuar dëshminë e diplomatit të pensionuar amerikan, Christopher Hill, në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po shqyrtohet rasti i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Gucati ka vlerësuar lartë fjalët e Hill, duke theksuar se dëshmia e tij tregon një të vërtetë të madhe për Kosovën dhe rolin e Thaçit.
“Hill tregoi një të vërtetë të madhe që ka Kosova. Thaçi ka qenë një vendimmarrës, i cili ka marrë pjesë në Rambuje, dhe ka qenë ai njëri që ka marrë vendime për vendin e vet, sidomos për shtetin e Kosovës. Unë pajtohem me deklaratën e tij, unë besoj që edhe shumica e qytetarëve pajtohen që Hill tregoi një të vërtetë të madhe”, ka thënë Gucati në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Ai ka shtuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë përçarëse, por bashkuese, duke u mbështetur në faktin se ekipi i përfaqësuesve në Rambuje, në krye me Thaçin dhe Rugovën, ka vepruar në unitet.
“Ata kanë shkuar bashkë, bashkë kanë vendosur, bashkë janë kthyer”, ka deklaruar Gucati.
Diplomati amerikan Christopher Hill, i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë periudhës së luftës në Kosovë, po vazhdon dëshminë e tij në mbrojtje të Thaçit në Gjykatën Speciale.
Në ditën e parë të dëshmisë, Hill ka pohuar se Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në dhe se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte strukturë me organizim hierarkik, duke kundërshtuar pretendimet e prokurorisë për drejtim të saj nga Thaçi.










