Dërguti: LVV-ja po i bën favor Listës Serbe, në kohë zgjedhjesh polarizimi i rrit votat

Opinonistja politike Aida Dërguti ka folur për moszgjedhjen e nënkryetarit të komunitetit serb të Kuvendit të Kosovës nga një kandidat i propozuar nga Lista Serbe.

Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ajo ka pohuar se Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar shumë Listën Serbe, por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Sipas saj, VV-ja ka pasur katër vjet kohë për ta shpallur Listën Serbe si organizatë terroriste. Dërguti më tej theksoi se Vetëvendosje, me reagimet e ditëve të fundit, është duke i shtuar më shumë vota Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

“Siç duket, Lëvizja Vetëvendosje është duke i bërë një favor Listës Serbe, sepse në prag të zgjedhjeve lokale, polarizimi me këtë listë do t’ia rrisë numrin e votave. Zakonisht, këto tensione ndëretnike, në kohë fushate dhe zgjedhjesh, kur përdoret sentimenti nacionalist, rëndom sjellin më shumë vota – dhe mendoj se dëmin më të madh po ia bëjnë Nenad Rashiqit, në fakt”, tha ajo.

“Duke u polarizuar me Listën Serbe dhe, ndërkohë, duke e paraqitur Rashiqin si konstruktiv në sytë e komunitetit, ai po duket si një instrument i z. Albin Kurti – si dikush që është në shërbim të tij, e jo në shërbim të komunitetit”, ka shtuar Dërguti.

Dërguti theksoi se çdo herë në shtetet e Ballkanit Perëndimor tensionet nacionaliste në kohë zgjedhjesh u kanë sjellur vota partive politike. /Klankosova.tv