“Derën mos e blloko”, Koci mbyll me shirit hyrjen te Kuvendi i Kosovës

Avokati kosovar, Arianit Koci, sot ka protestuar para hyrjes së Kuvendit të Kosovës për shkak të moszgjidhjes së ngërçit politik tash e sa muaj nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Koci sot ka ndalur disa deputetë të partive të ndryshme dhe u ka kërkuar llogari për krizën institucionale e disa i ka kritikuar edhe për shkak se janë vonuar për të qenë pjesë në seancën e sotme që ishte caktuar për orën 11:00.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, përgjegjës për hyrjen e Kuvendit që kontrollohet nga protokolli i ka kërkuar kocit të mos e bllokojë hyrjen.


“Kjo derë është për mysafirët”, dëgjohet teksa thotë rreshteri i Policisë së Kosovës në diskutimin me avokatin Koci.






Gashi: Zgjedhjet janë zgjidhje në demokraci, por KQZ-ja s’mund t’i përballojë dy procese njëkohësisht

Reporteri

05 Qershor 2025 | 11:52

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka lënë të hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, duke theksuar se ato përfaqësojnë zgjidhjen më të natyrshme në një sistem demokratik. Megjithatë, ai shprehu shqetësim serioz mbi aftësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i menaxhuar në mënyrë efikase.

“Mund të vijmë edhe në atë situatë kur zgjedhjet janë zgjidhje. Zgjedhjet janë gjithmonë zgjidhja në demokraci dhe politikë, dhe nëse partitë politike do të dakordohen, patjetër që mund të mbahen zgjedhjet,” tha Gashi.

Sipas tij, sfida më e madhe nuk është dakordësimi politik, por kapaciteti teknik dhe organizativ i KQZ-së për të përballuar një proces të tillë, sidomos në rast se vendi përballet me dy palë zgjedhje njëkohësisht — ato nacionale dhe ato lokale.

“Do të jetë shumë e komplikuar dhe problematike me e menaxhu KQZ-ja. KQZ-ja ka dështuar të menaxhoj zgjedhjet e fundit nacionale dhe besoj se do të ishte e pamundur me i menaxhuar dy palë zgjedhje,” theksoi ai.

Megjithatë, Gashi nuk e përjashtoi mundësinë që nëse partitë politike arrijnë një marrëveshje, vendi të shkojë drejt dy palë zgjedhjeve të njëkohshme.

“Gjithsesi, nëse vendoset, atëherë do të shkohet drejt dy palë zgjedhjeve bashkë,” përfundoi ai.

/Reporteri.net/






Tahiri: Në mungesë të numrave për Qeverinë, VV-ja ka vendosur si “barrikadë” një grua, reputacionin e së cilës po e dëmton

Reporteri

05 Qershor 2025 | 11:38

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri pas dështimit të seancës së 27-të të konstituimit të Kuvendit, ka thënë se në mungesë të numrave për Qeverinë, VV-ja po e bllokon edhe Kuvendin.

Ai ka thënë se partia e parë ka vendosur “si barrikadë” një grua, reputacionin e së cilës po e dëmton, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Po thonë nuk e ndërrojmë kandidatin, ne ju kemi thënë mundësi, i kemi ofru një bashkëpunim që ta propozojnë një prej emrave tjerë që mund ta votojmë, por duke mos i pasë numrat që ta bëjnë qeverinë, kanë vendosur si barrikadë ta vendosin një grua duke e deligjitimuar çdo ditë e më shumë reputacionin e saj po e dëmtojnë. Kjo sjellje e tyre është e papranueshme edhe me votuesit e tyre”, tha Tahiri para mediave.

Para pak minutash  ka dështuar edhe përpjekja e 27-të për konstitutuimin e Kuvendit. As sot, Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte numrat. Sot ishin veç 50 vota.

VV ka vazhduar me përpjekjen për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë, por që nuk ka marrë mbështetje. Seanca është shtyrë për të shtunën. /Reporteri.net/






LDK kundër idesë që zgjedhjet lokale dhe parlamentare të mbahen bashkë, Bajrami: Do të shkaktonte probleme të mëdha

Reporteri

05 Qershor 2025 | 11:37

Nënkryetarja dhe deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka dalë kundër idesë që të ketë zgjedhje lokale dhe parlamentare në të njëjtën kohë.

Sipas Bajramit, mbajtja e zgjedhjeve në të njëjtën kohë do të mund të shkaktonte probleme të mëdha dhe se në atë situatë ndonjë prej partive do të mund edhe të mos e pranonte rezultatin, shkruan Reporteri.net.

“Nuk kemi nevojë ta përsërisim një proces zgjedhor. Ne e dimë të gjithë procesin e ndërlikum dhe kohën që e ka marr numërimi i votave nga KQZ. Bashkimi i dy palë zgjedhjeve në të njëjtën peroudhë do të shkaktonte probleme të mëdha. Ka shumë mundësi që zgjedhje të tilla të mos pranohen nga ndonjë subjekt”, ka deklaruar Bajrami.

Ideja që zgjedhjet të mbahen në të njëjtën kohë është dhënë nga Nënkryetarja e VV’së, Albulena Haxhiu, e cila është edhe e propozuara e VV’së për Kryetare Kuvendi.

Sot ka dështuar përpjekja e 27’të për konstituimin e Kuvendit./Reporteri.net

 






Dështon edhe përpjekja e 27-të për konstituim, VV bie në 50 vota

Reporteri

05 Qershor 2025 | 11:27

Ka dështuar edhe përpjekja e 27-të për konstitutuimin e Kuvendit. As sot, Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte numrat. Sot ishin veç 50 vota, shkruan Reporteri.net.

VV ka vazhduar me përpjekjen për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë, por që nuk ka marrë mbështetje.

Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë. Kur është hedhur në votim përbërja e komisionit, ata s’kanë marrë pjesë fare në proces.

Në dështim të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari ka ndërprerë seancën.

“50 deputetë për, kundër një, abstenime s’ka. Ndërpritet seanca. Takohemi me 7 maj, në orën 11:00”, tha Dehari.

E propozuara e VV’së për këtë pozitë vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu./Reporteri.net






Time Kadrijaj: “Presim skenarin e njëjtë, seanca zgjat gjysmë ore dhe kthehemi në shpi”

Reporteri

05 Qershor 2025 | 11:16

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se nuk pret rezultat nga vazhdimi i seancës së sotme, shkruan Reporteri.net.

Ajo tha se edhe sot pret skenarin e njëjtë nga VV-ja, që sipas saj ky bllokim i seancës po bëhet nga ta.

“Presim përësrit skenari i njëjti. Seanca mos të zgjat më shumë se gjysmë ore dhe të kthehemi në shpi. Nuk është i drejtë ky bllokim i seancës që po bëhet nga Kurti. Është dashur ti siguroj shumicën”, tha ajo.

“Do ishte mirë të përcaktohej sa ka afat VV-ja për propozimin e kandidates, e jo në infinit ta ketë të drejtën për të njëjtën kandidate, pra të përcaktohen afatatet kohore”, tha ajo.






A ka dështuar marrëveshja me Kurtin për ta bërë Limajn Kryeparlamentar, flet deputetja e Nismës

Reporteri

05 Qershor 2025 | 11:10

Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku tha se takim shtesë me kryetarit Fatmir Limaj dhe Kryetarit të VV-së, Albin Kurtit nuk ka pasur, shkruan Reporteri.net.

Para vazhdimit të seancës, ajo tha se janë vetëm ato takime që janë publike, por s’ka pasur tjetër.

“Jo nuk ka pasur takim shtesë. Janë takimet publike që kanë ndodh, ska tjetër”, tha ajo.

E pyetur për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbahen njëkohësisht, Izmaku e Nismës tha se diçka e tillë është e pamundur.

“Nuk e mendoj që ka qenë e ndërtume si një ide. Është e pamundur. Kemi problem tjetër aktual. Këtë propozim do ta zgjedh Kushtetuta”, tha ajo.

Rreth asaj nëse ka dështuar marrëveshja mes Kurtit dhe Limajt, që ky i fundit të bëhet Kryeparlamentar, ajo tha se kjo marrëveshje s’ka dështuar, dhe se pret që të ketë zgjidhje ditët në vazhdim.

“Nuk e besoj që ka dështuar. Pres që do të ketë një zgjidhje, po presim në ditët në vazhdim. Jemi deputet, prandaj jemi këtu për me pas një zgjidhje”, tha Izmaku.

/Reporteri.net/






Koci aksion para Kuvendit, iu drejtohet deputetëve: Kemi me ju mbyllë brenda derisa të merreni vesh

Reporteri

05 Qershor 2025 | 11:02

Avokati Arianit Koci, i cili dje paralajmëroi një akt simbolik para Parlamentit të Kosovës për të shprehur pakënaqësi për ngërçin politik në të cilin është futur Kosova.

Koci para objektit të Kuvendit, u ka kërkuar deputetëve që kanë arritur për t’u futur në seancë që të “merren vesh dhe të dalin nga bllokada e krijuar”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Ai pati edhe një përplasje të vogël me deputetin e PDK-së, Rashit Qalaj, i cili i tha Kocit se “nuk është punë e tij që të kërkojë përgjegjësi nga ta”.

“Ne veç po kërkojmë me u marrë vesh. Munden edhe mos me u marrë vesh, ne pastaj e ndërrojmë strategjinë e kërkesave tona të ligjshme.

E kam mend me ju mshelë me një dhomë dhe mos me ju lanë me dalë derisa të merreni vesh. Puna jem është me lypë përgjegjësi prej jush”, tha Koci.






Deputetët mblidhen sot në tentativën e 27-të për konstituimin e Kuvendit

Reporteri

05 Qershor 2025 | 7:10

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, në përpjekjen e 27-të për konstituimin e legjislaturës së re.

Seanca, e cila ishte paraparë të mbahej të premten, është zhvendosur për një ditë më herët për shkak të festës zyrtare të Kurban Bajramit. Ajo do të nisë në ora 11:00.

Sipas rregullores së Kuvendit, propozimi për kryetar i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka nominuar Albulena Haxhiun.

Partitë e tjera kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun dhe Vetëvendosje nuk po heq dorë nga nominimi i saj.

Edhe të mërkurën VV ka vazhduar me përpjekjen për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë, por që nuk ka marrë mbështetje.

Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë.

Kur është hedhur në votim përbërja e komisionit, ata s’kanë marrë pjesë fare në proces.

Në dështim të votimit të Komisionit, Kryesuesi Avni Dehari ka ndërprerë seancën./Reporteri.net/

“53 deputetë për, kundër një, abstenime s’ka. Ndërpritet seanca. Takohemi më 5 qershor, në orën 11:00”, tha Dehari. /Reporteri.net






Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 12 Tetor

Reporteri

04 Qershor 2025 | 17:07

Zgjedhjet lokale në Kosovë pritet të caktohen për datën 12 tetor 2025, merr vesh gazeta online Reporteri.net. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pritet që ta zyrtarizojë këtë datë gjatë ditëve në vijim.

12 Tetori si datë e mundshme e zgjedhjeve u propozua edhe nga kreu PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sot (e mërkurë), Presidentja Osmani ka përmbyllur raundin e konsultimeve me partitë politike lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve. Pas takimeve, Presidenca ka njoftuar se kreu i shtetit ka dëgjuar propozimet dhe qëndrimet e të gjitha subjekteve pjesëmarrëse.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot takimin konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, thuhet në njoftim.






PDK mbledh Këshillin Drejtues, nisin përgatitjet për zgjedhjet lokale

Reporteri

04 Qershor 2025 | 16:56

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit Drejtues, ku u trajtuan zhvillimet aktuale politike në vend, rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, theksoi se zgjedhjet e fundit shënuan një kthesë të rëndësishme për vendin, duke e nxjerrë Kosovën nga sundimi i një partie të vetme dhe duke hapur një kapitull të ri për PDK-në.

“Me kandidat për Kryeministër kompetent dhe të besueshëm si Bedri Hamza, me strukturë të qëndrueshme dhe anëtarësi që nuk u ndal asnjë çast drejt ringritjes dhe forcimit të partisë, me një ofertë zhvillimore dhe të matshme, me një listë kandidatësh të jashtëzakonshëm, me afro 200 mijë qytetarë që na dhanë besimin e tyre, PDK dëshmoi se jo vetëm është forca më stabile në vend, por se është edhe streha e shpresës për një Kosovë ma të mirë. Ky është kapitulli ynë i ri dhe ne nuk guxojmë të ndalemi këtu, sepse ky rezultat, i cili është ndër më të mirët në historinë e partisë tonë, nuk është thjesht një numër, por është një sinjal i qartë se qytetarët duan maturi, përmbajtje dhe drejtim të sigurt”, tha Krasniqi.

Kryetari Krasniqi kritikoi Albin Kurtin për bllokadë institucionale dhe arrogancë politike, ndonëse PDK ka ofruar zgjidhje për të dalë nga vakumi.

“Ne kemi kërkuar ndërrimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit. Kemi pranuar dhe ftesën e Albin Kurtit për takim, e cila ishte më shumë si një kurth për të na futur edhe ne në një thes me partitë tjera, si parti refuzuese. Kemi propozuar mbajtjen e një takimi gjithëpërfshirës nga Presidentja, që u mbajt më 15 maj. Dhe kemi ofruar edhe mundësinë e krijimit të një Qeverie të re nga PDK, LDK, AAK dhe Nisma, me Kryeministër Bedri Hamzën, jo për interesa partiake, por për interesin e Kosovës. PDK ka qenë dhe është e gatshme të marrë përgjegjësi për të ndërtuar një Qeveri të opozitës së djeshme, me një plan dinamik për të trajtuar sfidat emergjente për shtetin dhe qytetarët, një qeveri që do t’i jepte përparësi rimëkëmbjes ekonomike, sigurisë kombëtare, forcimit të institucioneve dhe partneritetit me SHBA dhe BE. Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet një qeveri që punon, jo që bllokon”, tha ai.

Tutje, Krasniqi kërkoi mobilizimin e të gjithë anëtarëve dhe strukturave për përgatitjet për zgjedhjet lokale.

“Sërish, synojmë të garojmë me njerëzit më të përkushtuar, më të ndershëm dhe më kompetent – për të thelluar qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar në shumë komuna të vendit. Qëllimi ynë është i qartë: Të rikonfirmojmë fitoren në të gjitha komunat që i udhëheqim sot – dhe bazuar në qeverisjen e mirë të këtyre katër viteve, kjo është më se e arritshme. Të fitojmë edhe në disa komuna të tjera, ku potenciali është i jashtëzakonshëm. Por, fitorja që synojmë nuk arrihet pa ju, pa mbështetjen, energjinë dhe kontributin tuaj”, shtoi lideri i PDK-së.

Krasniqi shprehu shqetësimin lidhur me vendimin Dhomave të Specializuara në Hagë për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për të vazhduar paraburgimin ndaj Presidentit Thaçi, Kryetarit Kadri Veseli, bacës Jakup dhe Rexhep Selimit është një padrejtësi që nuk guxojmë ta normalizojmë. Refuzimi i lirimit me kusht, pavarësisht përfundimit të paraqitjes së provave, është shkelje e parimeve themelore të drejtësisë. Ne nuk kërkojmë favore, por drejtësi. PDK nuk do të ndalet së kërkuari që kjo padrejtësi të marrë fund, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me respekt për sakrificën tonë kolektive”, tha Krasniqi.

Edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza falënderoi të gjithë anëtarët, përkrahësit dhe strukturat e partisë për mbështetjen, si dhe për angazhimin e madh për rezultatin e arritur.

Ndërkaq, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Citaku duke theksuar se rezultati i 9 shkurtit ka qenë ndër më të mirët që partia e ka marrë, kërkoi mobilizimin e të gjitha strukturave edhe për garën nëpër komuna.

“Shpresoj që në këtë frymë të unitetit dhe cilësinë e kandidatëve, do të kemi sukses edhe në zgjedhjet lokale”, shtoi ajo.






Cakolli: E papërgjegjshme dhe e rrezikshme ideja që zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbahen në të njëjtën ditë

Reporteri

04 Qershor 2025 | 16:51

Eugen Cakolli nga KDI ka thënë që ideja që zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbahen në të njëjtën ditë është e papërgjegjshme dhe se rrezikon ta dëmtojë seriozisht cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik.

Sipas tij një gjë e tillë do të ishte paqartësi e madhe për votuesin.

Postimi i plotë:

Ideja që zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën ditë është e papërgjegjshme dhe rrezikon të dëmtojë seriozisht cilësinë e procesit zgjedhor dhe përfaqësimit demokratik.

Tri fletëvotime për çdo qytetar, tri nivele kandidatësh, procedura të ndërlikuara, komisionerë të papërgatitur, ngarkesë për trupat menaxhuese të zgjedhjeve, dy lloj fushatash – dhe mbi të gjitha, paqartësi e madhe për votuesin. Për më tepër, rriten gjasat për gabime “teknike”, vota të pavlefshme, kontestime dhe rinumërime të gjata.

Ky skenar nuk po shtyhet përpara sepse është i arsyeshëm, por sepse partitë politike, e sidomos partia e parë, po kërkojnë një “zgjidhje” për krizën që vetë e kanë krijuar. Në vend që të merren vesh mbi bazën e mandatit të fituar më 9 shkurt, po orientohen drejt një formule që përzien dy procese të ndara, vetëm për të krijuar një rifillim artificial.

Dhe nëse rezultati i zgjedhjeve parlamentare pritet të jetë përafërsisht i njëjtë, atëherë kjo është thjesht një manovër për të zbutur tensionet dhe retorikën, për të larë vijat e kuqe, dhe për të justifikuar një bashkëpunim që sot po refuzohet.

Zgjedhjet janë mjet i demokracisë – por nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për të zëvendësuar përgjegjësinë politike.






Nesër në ora 11:00 tentativa e 27 për konstituimin e Kuvendit

Reporteri

04 Qershor 2025 | 15:45

Pas dështimit të seancës së sotme, nesër do të jetë tentativa e 27 për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, kjo seancë do të mbahet në ora 11:00.

Kryesuesi i kësaj seance, Avni Dehari njoftoi se seanca do të mbahet të enjten, përshkak të festës së Kurban Bajramit të premten.

/Reporteri.net/






Haxhiu pas takimit me Osmanin: Ishte një ide që t’i shpallim dy palë zgjedhje, të jashtëzakonshme dhe ato lokale

Reporteri

04 Qershor 2025 | 15:11

Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se në takimin e sotëm me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e cila ka ftuar në takim përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar për datën e zgjedhjeve lokale është diskutuar edhe ideja që të mbahen dy palë zgjedhje.

“Ishte një ide që të vazhdojmë t’i shpallim të dyja edhe ato të jashtëzakonshme bashkë me ato lokale. Qëndrimi jonë është për. Për ne është e rëndësishme që të konstatohet Kuvendi, të votohet qeveria por nëse sot ka qenë e 18-ta seancë që kur ka filluar votimi për Komision”.

Haxhiu tha se ideja ishte e saj, por tha se qëndrimi i Vetëvendosjes ishte “konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë”.

“Ideja ishte e imja. Unë isha shumë e vullnetshme që të diskutojmë edhe për këtë. Por duhet konstituim dhe shpërndarje e Kuvendit e që për këtë duhet marrëveshje politike”.






Osmani përfundon konsultimet me partitë për zgjedhjet lokale, data caktohet ditët në vijim

Reporteri

04 Qershor 2025 | 15:08

Presidentja Vjosa Osmani ka përfunduar konsultimet me partitë politike, lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e partive dhe se data e zgjedhjeve do të caktohet ditët në vijim, shkruan Reporteri.net.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot takimin konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka dëgjuar qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike, prandaj në ditët në vijim, konform përgjegjësive kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, do ta caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale”, thuhet në njoftim.

Kreu i PDK’së ka thënë se 12 dhe 19 tetori janë preferenca e tij si data për zgjedhjet lokale. 12 tetori është propozuar edhe nga AAK’ja. Nga LDK ende nuk dihet se cilën datë kanë propozuar./Reporteri.net






Krasniqi thotë se 12 dhe 19 tetori janë preferenca e tij si data për zgjedhjet lokale

Reporteri

04 Qershor 2025 | 15:01

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se ka njoftuar presidenten dhe përfaqësuesit politikë se të gjitha datat për mbajtjen e zgjedhjeve lokale janë të pranueshme për të, megjithatë ka shprehur preferencën e tij për 12 ose 19 tetor, shkruan Reporteri.net.

“Unë e njoftova presidenten dhe të pranishmit se të gjitha datat janë të pranueshme. Por preferenca ime ishte 12 ose 19 tetor. Nuk ka shumë dallime te pjesa e datave të partive”, ka deklaruar ai.

Ai ka shprehur pritshmërinë që në ditët në vijim të dekretohet data për zgjedhjet, duke theksuar nevojën për një proces të rregullt dhe demokratik.

/Reporteri.net/






Haradinaj propozon 12 tetorin si datë për zgjedhjet lokale

Reporteri

04 Qershor 2025 | 14:57

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka propozuar 12 tetorin, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, shkruan Reporteri.net. 

Këtë propozim Haradinaj e ka bërë në takimin e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive. Haradinaj ka thënë se shpreson që Osmani ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të përfillë këtë propozim.

“Sot, në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja e Republikës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, për caktimin e datës së zgjedhjeve komunale, propozova që këto zgjedhje të mbahen më 12 Tetor 2025. Kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore. Shpresoj që Presidentja ta shfrytëzojë të drejtën e saj kushtetuese dhe të përfillë këtë propozim”, ka shkruar Haradinaj.






Caktimi i datës për zgjedhjet lokale, nis takimi i presidentes Osmani me partitë politike – Kurti e çon Albulena Haxhiun

Reporteri

04 Qershor 2025 | 14:31

Ka nisur takimi i presidentes Osmani me partitë politike, ku do të diskutohet rreth datës së zgjedhjeve lokale.

Në takim po marrin pjesë krerët e partive politike, ndërkaq nga VV-ja po merr pjesë Albulena Haxhiu, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Caktimi i datës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë pritet të bëhet pas këtij konsultimi që presidentja pritet ta ketë me krerët e partive politike.

Ky takim vjen ndërkohë që Kosova ndodhet në një ngërç institucional, pa Kuvend të konstituuar, tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare./Reporteri.net/






Abdixhiku takohet me ambasadorin e ri të OSBE’së, ia prezanton propozimin për qeveri të tranzicionit

Reporteri

04 Qershor 2025 | 14:30

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim njoftues ambasadorin e ri të Misionit të OSBE’së në Kosovë, Gerard McGurk.

Sipas njoftimit të LDK’së, në këtë takim është diskutuar rreth zhvillimeve aktuale politike në vend. Abdixhiku i ka prezantuar atij propozimin për një qeveri të tranzicionit, shkruan Reporteri.net.

“Në këtë takim, Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që OSBE i ka dhënë Republikës së Kosovës ndër vite, veçanërisht në fushat e forcimit të institucioneve demokratike, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, promovimit të sundimit të ligjit dhe zhvillimit të proceseve zgjedhore.

Po ashtu u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet LDK-së dhe OSBE-së në Kosovë, me fokus në avancimin e demokracisë, forcimin e institucioneve dhe promovimin e pjesëmarrjes qytetare në jetën publike. Kryetari Abdixhiku theksoi gatishmërinë e LDK-së për të kontribuar në thellimin e bashkëpunimit me OSBE-në dhe miqtë ndërkombëtarë që mbështesin rrugëtimin demokratik të Kosovës”, thuhet në njoftim.