“Dera është e hapur”| ShBA kërkon hapa konkretë nga Kurti për të rifilluar bashkëpunimin

Hapa konkretë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në drejtim të uljes së tensioneve, kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të ketë përmirësim të marrëdhënieve dhe rifillim të bashkëpunimit me qeverinë në detyrë.

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, hapa konkretë për të ulur tensionet si rrugë për të përmirësuar marrëdhëniet dhe për ta rifilluar bashkëpunimin.

Në një përgjigje për Koha.net, Ambasada e ShBA’së në Kosovë ka thënë se po vazhdojnë të vlerësojnë veprimet e qeverisë në detyrë.

Thonë se ia kanë bërë të qartë Qeverisë në detyrë se cila është rruga drejt përmirësimit të raporteve, pas vendimit për pezullim të Dialogut Strategjik shkaku i veprimeve të Kurtit.

“Siç ia kemi bërë të qartë qeverisë në detyrë, dera është e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit. Megjithatë, kjo kërkon hapa konkretë nga kryeministri në detyrë Kurti për të ulur tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet ekonomik të ndërsjellë. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, kanë deklaruar nga ambasada.

Duke folur mbi vendimin për pezullim të Dialogut Strategjik, Kurti kishte thënë se nuk janë prishur me Amerikën, por se kanë dallime.

“Dua të qartësojmë se për bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për Dialog Strategjik, e jo të Dialogut Strategjik si proces të nisur, e as komunikimin e rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”, kishte deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Ai kishte sulmuar opozitën, duke thënë se po i stërzmadhon çëshjet.

“Opozitarët po e stërzmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë tonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizoj zhvillimet e fundit. I siguroj qytetarët se Qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat e qëndrimet e Ambasadës amerikane”, kishte thënë Kurti.

Ai kishte thënë se dallimet me ShBA’të janë në fushën e diplomacies.

“Në shtyllën e diplomacisë, kemi disa dallime ku shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tona në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave ilegale në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime, ndonjëherë jo edhe për çështje operacionale dhe taktike”, kishte thënë Kurti.

Për vendimin e ShBA’së për pezullim të dialogut njoftoi Ambasada, ku tha se kjo u bë për shkak shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta.

Sipas ambasadës, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e bërë gjatë shumë viteve.

“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta”.

Presidentja Vjosa Osmani kishte shprehur keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth këtij vendimi.

Osmani ka thënë se Presidenca do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt.

E para e vendit ka deklaruar se çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë, duke shtuar se secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë.

Dialogu Strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Ëashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.

SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.