Deputetja e LDK-së: S’kam ndryshuar qëndrim partiak – nëse r

Deputetja e sapozgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Serbeze Kabashi-Muçaj, ka thënë se qëndrimi i saj mbetet në linjë me atë të partisë, pavarësisht një reagimi të saj që u interpretua si mbështetje për kandidaturën e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.

Përmes një mesazhi dërguar për Debat Plus, Kabashi-Muçaj ka theksuar se qëllimi i saj ka qenë të nxisë reflektim të përbashkët dhe jo të mbështesë ndonjë kandidat.

“Më lejoni të sqaroj shkurt: qëllimi im nuk ka qenë të anoj për askënd, por të nxis reflektim të përbashkët – një mendim që e kam ndarë në mënyrë të vazhdueshme edhe në diskutimet e brendshme të grupit. Nëse reagimi im është keqkuptuar, më vjen keq – por bindja ime mbetet se vetëm përmes përgjegjësisë kolektive mund të dalim nga ky ngërç”, ka deklaruar ajo.

Kabashi-Muçaj ka shtuar se nuk ka ndryshuar qëndrim partiak, duke lënë të nënkuptohet se nuk do të votojë kandidatin e propozuar nga LVV-ja, në përputhje me vendimin e LDK-së që ka paralajmëruar se nuk do të përkrahë asnjë kandidat të propozuar nga partia fituese.