Deputetja e LDK-së: Gabimin e VV-së për mosdorëheqje nuk e bëjnë as studentët e vitit të parë në shkenca politike

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka pohuar se Qeveria në detyrë e LVV-së duhet të japë dorëheqje, për të bërë betimin e pjesëtarëve të saj si deputet të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Në emisionin DPT Fidani, ajo ka theksuar se mendimi apo qasja e Lëvizjes Vetëvendosje është e gabuar, dhe se këtë gabim nuk e bëjnë as studentët e vitit të parë në programin e shkencave politike.

“Dorëheqje dhe mosushtrim të funksionit të ekzekutivit. Nëse dëshirojnë ta bëjnë betimin ata duhet të vijnë me dorëheqje me shkrim, dhe të heqim dorë nga ushtrimi i ekzekutivit. Ka një parim bazik në një shtet demokratike, ndarja e pushteteve, legjislacioni, ekzekutivi dhe gjyqësori janë tri shtyllat bazike të një shteti demokratik”.

“Nuk mundesh me pasë një mandat e një funksion që ta luash rolin e legjislativit dhe njëkohësisht me qenë në ekzekutiv, kjo konflikt, kjo e prish logjikën e çdo njeriu që i di elementet bazike të demokracisë. Unë për vete ligjëroj se këtë gabim nuk e bëjnë as studentët e vitit të parë në shkenca politike, nuk mundesh me qenë ekzekutiv në kohën kur je në legjislativ”, ka thënë Lushaku-Sadriu.