Ndonëse me përvojë të shkurtër në politikë, ka mjaftuar një deklaratë e Albin Kurtit që Ermal Sadiku t’ia zbulojë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje “lojën” në prapaskenë.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që shërben për herë të parë si ligjvënës në legjislaturën aktuale, tha se insistimi i kryeministrit për arritjen e një shumice prej së paku 84 deputetëve për zgjidhjen e ngërçit të presidentit, nënkupton refuzim të Vetëvendosjes ndaj LDK-së.
Rrjedhimisht, skenarët në kokën e Kurtit – sipas deputetit Sadiku – janë dy: dërgimi i vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme ose koalicion me PDK-në.
“Kjo nënkupton se ai nuk është i interesuar për zgjedhjen e Presidentit në bashkëpunim me LDK-në”, tha Sadiku. “Sipas kësaj logjike, tentativa e tij duket të jetë ose ta çojë vendin në zgjedhje, ose të hyjë në koalicion me PDK-në”.
Skenari i një koalicioni të mundshëm LVV-PDK, i cili lidhet me arritjen e një ujdie të mundshme për çështjen e presidentit, nuk arriti asnjë përparim gjatë raundit të parë të bisedimeve mes kryetarëve të dy partive, sipas deklarimeve të vetë liderëve respektivë.
Gjatë këtij raundi negociatiash, të zhvilluara në fund të muajit shkurt, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i kishte propozuar liderit të Vetëvendosjes që presidenti të jetë emër i parashtruar nga PDK-ja.
Kurti e ka hedhur kategorisht poshtë këtë opsion edhe sot, kur në një paraqitje publike pas takimit me Abdixhikun tha se kjo kërkesë e PDK-së “e bën të pamundur” arritjen e një marrëveshjeje. /Paparaci.com










