Migrantët që kapërcejnë me barka Kanalin Anglez do të mbahen shënim kur vjen puna për të kërkuar përfitime apo banim falas. Sapo t’u refuzohen kërkesat për azil, ata do të barten me avionë drejt Kosovës. Kryeministri britanik, Keir Starmer është duke bërë pazar sesi të ndërtohet një ‘qendër rikthimi’, ide të cilën e ka begenisur edhe deputeti, Albin Kurti. Atë që nuk e ka bërë të ditur për opinionin në Kosovë, mediat britanike ia kanë zbuluar faqe botës. I ngjashëm me modelin e Rwandas, kjo strehimore do të sillte në Kosovë mijëra azilkërkues të refuzuar – dhe të tillë nuk janë pak. Vetëm sivjet, mbi 36 mijë njerëz nga mbarë bota, me barka e gomone, kanë kaluar ilegalisht Kanalin Anglez dhe kanë mbërritur në tokën britanike. Trashëgimia e qeverisjes pesëvjeçare të Vetëvendosjes del të jetë me ‘vizione’ zhvillimore që mbështeten në dhënien e burgjeve me qira për shtete evropiane ose hapjen e strehimoreve.
Col MEHMETI
24 tetor 2025 – Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti del të jetë mjaft kreativ për problemin e Mbretërisë së Bashkuar për sa u përket azilantëve.
Ata që shteti britanik do t’i kthejë mbrapsht pas refuzimit të kërkesave për azil, Kosova do t’u bëjë vendstrehim.
Prej ditësh, mediat britanike, si The Times, Guardian e Telegraph, kanë pasqyruar “Po”-në e Kurtit të thënë në një takim me kryeministrin, Keir Starmer.
Deputeti i VV-së ka marrë përsipër idenë e hapjes së atyre që në gjuhën burokratike të laburistëve quhen ‘returning hubs’ (qendra kthimi).
Ndonëse nuk është folur më parë për ide të tilla, vetë mediat britanike kanë treguar për ato që Kurti nuk i ka bashkëndarë për publikun në Kosovë.
Pazar në emër të ‘bujarisë’Sipas ish-kryeministrit, zyrtarë të Ministrisë së Brendshme e juristë nga Kosova kanë biseduar me homologë britanikë për mundësinë e një qendre të tillë.
Kurti, ashtu siç është cituar nga mediat britanike, e ka arsyetuar ofertën e tij si ‘ndihmë’ për një vend aleat.
“Ne e konsiderojmë se është detyra jonë miqësore e politike”, ka thënë ai.
“Ne kemi kapacitet të kufizuar, por megjithatë duam të ndihmojmë dhe ka komunikim mes ekipeve të zyrtarëve shtetërorë nga ministria jonë e Punëve të Brendshme dhe avokatëve për atë sesi ta bëjmë këtë për të mirën e përbashkët”.
Pazari për një qendër të tillë parasheh me gjasmë ndihmë në mbrojtje nga Mbretëria e Bashkuar “për t’u mbrojtur nga agresioni rus e serb” (sic!)
Kurti pranoi idenë që u refuzua nga vendet e rajonit
Kështu, sipas Guardianit, Kosova është bërë vendi i parë që do t’i pranojë azilkërkuesit e refuzuar nga ana e Britanisë së Madhe.
Por, kryeministrat fqinj nuk duket se janë të entuziazmuar nga plani i Starmerit për t’u bërë strehimore të azilantëve e migrantëve.
Marrëveshjeve të tilla u kanë thënë jo deri më tani kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryesuesi i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Željko Komšić.
Ndërkaq, kryeministri malazez Milojko Spajić ka thënë se vendi i tij është i hapur për të negociuar një marrëveshje të tillë, por me kushtin që Britania të investojë ndjeshëm në infrastrukturën e Malit të Zi
Britania në kërkim të vendeve vullnetare për pranim azilkërkuesish
Numri i kalimit me barka të vogla vazhdon të shtohet, ku vetëm të shtunën e kaluar 369 njerëz e morën rrezikun me sy.
Vetëm sivjet këtë e kanë bërë mbi 36 mijë njerëz.
Në kontekstin britanik vazhdon të jetë e përfolur ajo që quhet skema migrante e Rwandas, një politikë e vënë në zbatim nga qeveria britanike qysh më 2022, kryesisht në kohë të Boris Johnsonit, dhe e vazhduar copa-copa nga pasrendësit e tij, Rishi Sunak dhe Keir Starmer.
Skema Mbretëri e Bashkuar-Rwanda parasheh që azilkërkues të caktuar që arrijnë ilegalisht në tokën britanike, sidomos me barka përmes Kanalit anglez, do të vendosen në Rwanda.
Kështu, rastet e tyre do të shqyrtoheshin atje, por pa u rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar.
Sidoqoftë, Kabineti në hije ka akuzuar se përpjekjet për deportim u kanë kushtuar taksapaguesve britanikë më shumë se 700 milionë funta, por pa e frenuar ardhjen e migrantëve.
Sipas Chris Philipit, kryeministri Starmer ka bërë “gabim katastrofik” kur e ka shfuqizuar skemën e deportimit për në Rwanda, të nismuar më herët nga Partia Konservatore, pa ofruar një alternativë në vend të saj
Belgjika planifikoi të marrë burgje me qira në Kosovë
Burgje me qira e qendra rikthimi duket se janë e vetmja trashëgimi e qeverisjes pesëvjeçare të Vetëvendosjes.
Në mars të këtij viti, Belgjika e bëri të njohur synimin e saj për të për të marrë me qira burgje në Kosovë ashtu që ta lehtësojë barrën e mbingarkimit në institucionet korrektuese.
Këtë e kishte paralajmëruar edhe vetë ish-ministri i Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, i cili në një fjalim në Parlamentin belg kishte thënë se Kosova është një opsion viabël – duke ndjekur shembullin e Danimarkës.

Vlerësohej se një projekti të tillë do t’i lidhej ‘gryka’ me rreth 202 milionë euro.
Me t’u bërë i ditur ky plan, në mediat belge ishin zëruar pikëpyetje për sa i përket ndikimit të bartjes potenciale të të burgosurve në Kosovë.
Një prej tyre ishte edhe ajo që ka të bëjë me të drejtat e njeriut, ashtu që të sigurohen të burgosurit sa kohë mbahen në ndërtesa të huaja.
Historiku i marrëveshjes me Danimarkën
Vizioni i Qeverisë Kurti kishte qenë i tillë qyshkur erdhi në pushtet.
Më 2022, Mbretëria e Danimarkës dhe Republika e Kosovës nënshkruan një traktat “mbi përdorimin e ndërtesës korrektuese në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.”
Kjo marrëveshje ia bënte të mundur qeverisë daneze që t’i bartë në Kosovë deri në 300 shtetas nga vende të treta, të cilët do të vuanin dënimin në vendin tonë.Me negociatat që zgjatën për disa vite me radhë, me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu si një nga protagonistet kryesore, marrëveshja u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 23 maj të vitit të kaluar.
Sipas neneve të marrëveshjes, Kosova do të marrë 15 milionë euro në vit, kurse me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, edhe 5 milionë euro shtesë.
Burgu i Danimarkës në Pasjak
Qendra korrektuese me 300 qeli gjendet në Pasjak, jo larg qytetit të Gjilanit.
Ajo është e paraparë për t’i akomoduar rreth 300 të burgosur nga Danimarka.

Marrëveshja me Danimarkën ishte kundërshtuar edhe nga Këshilli për Mbrojtjen dhe Lirinë e të Drejtave të Njeriut.
Në një komunikatë për medie, ky Këshill kishte tërhequr vërejtjen se marrëveshja në fjalë mbart rreziqe të mëdha për Shërbimin Korrektues të Kosovës.
“Të burgosurit që do transferohen nga Danimarka nuk janë shtetas danezë por të vendeve tjera e që janë dënuar në Mbretërinë e Danimarkës dhe të cilët, pak para se ta përfundojnë dënimim në Kosovë do të kthehen në Danimarkë për t’u dëbuar në shtetet dhe vendet e origjinës”, ishte thënë në kumtesën e KMDLNj-së. /Nacionale/










