Deputeti Muja akuzoi Blerim Isufaj për pazare, KPK dhe ZKPSh ia tërhekin vërejtjen deputetit të VV’së

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) dënojnë ashpër deklaratat e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Armend Muja, të bëra sot përmes rrjeteve sociale, ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Deputeti i VV’së, Armend Muja, në një postim në Facebook ka shkruar se biznesmeni Samir Mane ka bërë ligje në Kosovë gjatë Qeverisë Hoti. Sipas Mujës, “me propozim të Grupit Parlamentar të AAK-së, në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike ishte shtuar një amandament për një nen që parashihte lirim të energjisë elektrike për Ferronikelin, i cili atë kohë ishte në pronësi të Saimir Manes dhe të pezullohen pagesat e rentës minerare”.

Sipas njoftimit publik të KPK dhe ZKPSH, deklaratat e Mujës kanë për synim të dëmtojnë rastet hetimore në procedurë dhe prononcimet e tilla nuk i shërbejnë drejtësisë

“Deklaratat e sotme të deputetit Muja kanë përmbajtje të pastër politike dhe vijnë e renditen në sinkron me deklaratat e Qeverisë dhe nga radhët e deputetëve të subjektit shumicë në Kuvendin e Kosovës, që, faktikisht, duhet të jenë gardianë të së drejtës dhe sundimit të ligjit në vendin tonë dhe jo të ndërhyjnë orë e çast, duke mos zgjedhur mjete dhe metoda për të njollosur dhe sulmuar prokurorë, kryeprokurorë dhe prokuroritë e vendit.KPK dhe ZKPSH theksojnë se këto deklarata kanë për synim të dëmtojnë rastet hetimore në procedurë dhe prononcimet e tilla nuk i shërbejnë drejtësisë, si dhe janë ndërhyrje e qëllimshme për të zhvendosur vëmendjen nga zbatimi i përditshëm i ligjit që bënë Kryeprokurori Isufaj, por me këtë rast, KPK-ja dhe ZKPSH-ja ia bëjnë me dije deputetit Muja se përkrahin dhe mbështesin fuqishëm z.Blerim Isufaj dhe secilin prokurorë, që, çdo ditë, në mënyrë aktive dhe sistematike, merren me ndjekjen dhe hetimin e kryesve të veprave penale kushdo qofshin dhe ngado që vijnë ata”, thuhet në reagim.