Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka ndarë përmes një postimi në Facebook një video ku deputeti gjerman Johannes Volkmann mban fjalim në parlamentin gjerman, duke përmendur Kosovën.
Statusi i plotë i ambasadorit Faruk Ajeti
“Faleminderit Johannes! Ndërsa fjalimi i fundit i Helmut Kohl në Bundestag ishte më 1 korrik 1999, nipi i tij, Johannes, debutoi dje me fjalimin e tij të parë në Bundestag – dhe atë me një mbështetje të fuqishme për Kosovën, në kuadër të votimit për zgjatjen e misionit të Bundeswehr-it në Kosovë. Një fjalim i jashtëzakonshëm, që bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet e BE-së, anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, si dhe respektimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ia vlen ta dëgjoni fjalimin e Johannes”, shkruan Ajeti.
Kujtojmë që të enjten, më 26 qershor, Bundestagu në Berlin vendosi që misioni i Bundeswehr-it si pjesë e forcës ndërkombëtare të KFOR-it do të vazhdojë edhe për 12 muaj të tjerë.
Me 391 vota pro, 189 kundër dhe vetëm dy abstenime, u miratua zgjatja e mandatit.
Çfarë roli kanë ushtarët gjermanë në kuadër të KFOR-it?
Deri në 400 ushtare dhe ushtarë gjermanë do të mund të angazhohen sërish në Kosovë.
Detyra e tyre?
Të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë, në rendin publik dhe në përpjekjet për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm, demokratik dhe multietnik.
Gjermania shpreh qartë edhe mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një strukturë moderne dhe të kontrolluar në mënyrë demokratike – si përgatitje për integrimin në NATO dhe BE.
Pas përfundimit të luftës në vitin 1999, Gjermania ishte një nga kontribueset më të mëdha në misionin KFOR, me deri në 6 000 ushtarë të dislokuar në Kosovë.
Prania u ruajt në nivele të larta deri në vitin 2004, kur pas trazirave ndëretnike u përforcua sërish me 600 trupa shtesë.
Nga viti 2011 nisi një ulje graduale, duke zbritur në më pak se 1,000 ushtarë dhe duke e mbyllur bazën ushtarake në Prizren më 2018.
Në fund të vitit 2022, Gjermania kishte vetëm rreth 80 ushtarë në terren.
Por me rritjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe largimin e kontingjentit austriak, Berlini reagoi.
Në prill 2024 u dërgua një kompani shtesë dhe sot Bundestagu ka mandatuar deri në 400 trupa – një rikthim simbolik i vëmendjes ndaj sigurisë në rajon.
Misioni ushtarak në Kosovë i kushton Gjermanisë rreth 38.9 milionë euro.
The post Deputeti gjerman, nipi ish-kancelarit Helmut Kohl: Kosova të njihet nga të gjitha shtetet e BE-së appeared first on Kosovapost.net.