Deputetët me “duar në xhepa” angazhojnë asistentë personalë

Deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, ndonëse qe një muaj e gjysmë nuk kanë bërë asgjë më shumë pos asaj që kanë nënshkruar praninë në seancë konstituive, kjo nuk i ka penguar që të angazhojnë asistentë personalë.

Kontratat me ta i kanë lidhur duke e shfrytëzuar një Rregullore të Kuvendit, e cila ua jep këtë mundësi.

Në një përgjigje me shkrim, Kuvendi i Kosovës ka konfirmuar se deri më 13.05.2025, [kur është bërë përditësimi i fundit], 52 deputetë kanë angazhuar asistentë.

Nga ky grup, katër asistentë janë angazhuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, 15 nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, 20 nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pesë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tre nga Lista Serbe, një nga Kosova Demokratik Turk Partisi, një nga Koalicioni Vakat, një nga Partia Liberale Egjiptiane, një nga Unionin Social Demokrat dhe një tjetër nga Partia e Bashkuar Gorane.

Derisa këta asistentë kanë hyrë në listën e pagave për muajin maj, siç mësohet ka të tjerë që janë duke vazhduar t’i nënshkruajnë kontratat.

“Zyrtarët e lartë personalë të deputetëve të cilët kanë nënshkruar kontratat e punës deri më datë 13 maj 2025, janë dërguar në Thesar për të hyrë në listë të pagave”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës.

Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës dhe monitorues i punës së Kuvendit, vlerëson se ligjërisht deputetët nuk kanë ndalesë që të angazhojnë asistentë.

Megjithatë, sipas tij, në këtë fazë nuk ka bazë të qartë ligjore dhe administrative për një veprim të tillë, për faktin se Kuvendi nuk është konstituuar dhe nuk janë funksionalizuar organet e tij.

“Përtej aspektit ligjor, problemi kryesor është ai parimor. Nuk ka asnjë logjikë dhe as arsye që të angazhohen asistentë për deputetë të cilët aktualisht nuk po ushtrojnë funksionet e tyre, përtej pjesëmarrjes në seanca tejet të shkurtra. Edhe pse seancat po thirren çdo 48 orë, ato po zgjasin vetëm disa minuta, pa asnjë aktivitet parlamentar substancial”, ka deklaruar Cakolli.

Në këto rrethana, sipas tij, angazhimi i stafit mbështetës përveç se është i panevojshëm, ngre pikëpyetje etike dhe praktike për mënyrën se si menaxhohet paraja publike në kushtet e bllokadës institucionale.

KALLXO.com ka kontaktuar me disa deputetë të partive politike, për t’i pyetur rreth angazhimit të asistentëve.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka konfirmuar se në këtë parti ka arritur njoftimi nga administrata e Kuvendit, se mund të angazhohen asistentët.

“Nga Administrata e Kuvendit, ka ardhur njoftimi se deputetët mund të angazhojnë stafin e tyre sipas Rregullores dhe këtë njoftim e kam përcjell te deputetët. Nuk e di sa prej tyre kanë angazhuar staf” – deklaroi Bajrami.

Konfirmim të angazhimit të asistentit ka dhënë edhe deputeti Artan Behrami i PDK-së.

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Time Kadrijaj, po ashtu ka konfirmuar se janë angazhuar asistentë për deputetët.

“Janë caktuar asistentët personalë për deputetë. Me kontratë”, deklaroi ajo shkurtimisht.

Por ka prej atyre që ende nuk kanë angazhuar asistent personal.

Një nga ta është Fitim Haziri nga LVV.

Ai deklaroi se nuk a angazhuar ende askënd për shkak se nuk ka punë efektive.

“Jo nuk kam angazhuar, sepse nuk kemi punë efektive që me pasë asistent. Kur të fillojmë me punu si duhet, e marrim”, deklaroi Haziri.

Asistenti i deputetit, sipas Rregullores për Shtesa mbi Pagën Bazë për Deputetë dhe për Klasifikimin e Pagës për Stafin Mbështetës Politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pagë bazë me koeficient 5.8 dhe përfiton shtesë prej 30% të kësaj page.

Vlera e koeficientit për paga aktualisht është 110 euro.

Qeveria e Kosovës në tetor 2024 kishte marrë vendim që nga janari i 2025 të ketë rritje prej 55 eurove mbi këtë koeficient.

Kjo i bie, që asistenti i deputetit ka pagë prej 638 euro dhe duke i shtuar rritjen prej 55 eurove, paga e tij arrin në 693 euro. Me 30 % të shtesës, të bazuar në Rregullore, paga e asistentit të deputetit kap shumën prej 900.9 eurosh- bruto.

Sipas kalkulatorit të pagës së Administratës Tatimore të Kosovës, 900.9 euro bruto i bie 729.47 euro neto. Që do të thotë se këto para i dalin në xhirollogari një asistenti të deputetit, që tash për tash nuk bën asgjë.

Seanca konstituive e Kuvendit është hapur më 15.04.2025 dhe prej asaj date nuk ka arritur të mbyllet. Dështimi për të 20-ën herë ka ndodhur më 23.05.2025.

Procesi ka mbetur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ku Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk kanë votë për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka takuar liderët partiakë në përpjekje për të gjetur në zgjidhje, por as nga ky takim nuk ka rezultuar ndonjë progres në tejkalim të bllokadës institucionale.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me opinion në lidhje me kërkesën e AAK-së për vlerësimin e kushtetushmërisë së propozimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për Zgjedhjen e Kryeparlamentarit të Kosovës