Deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë braktisur seancën e Kuvendit të Kosovës në të cilën ishte paralajmëruar debati për themelimin e Tribunalit Ndërkombëtar për krime lufte të Serbisë në Kosovë.
Braktisjen e paralajmëroi shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili për vonesën e themelimit të këtij Tribunali, e akuzoi siç tha ai, pushtetin aktual i cili, sipas tij, është vonuar 20 vjet me iniciativën për themelimin e këtij Tribunali.
Pas këtij deklarimi deputetët e dy partive opozitare, LDK dhe VV braktisën seancën.
Para Glauk Konjufcës ishte Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së i cili kundërshtoi propozimin e Kadri Veselit për themelimin e këtij Tribunali, duke e akuzuar kryetarin e Kuvendit, se në vend të koordinimit me partitë parlamentarë për themelimin e këtij Tribunali, ai zgjodhi skutat e Prishtinës për të mbajtur, siç tha ai, konferenca për shtyp.
Pas largimit të deputetëve të këtyre dy partive, shefi parlamentar i PDK-së, Memli Krasniqi, adresoi kritika të ashpra ndaj deputetëve që lëshuan mbledhjen.