Deputetja britanike Emma Lewell e mbështetur nga një grup parlamentarësh ndërpartiakë britanikë i janë drejtuar me një letër sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Lammy, duke e shprehur shqetësimin e thellë për pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në paradën ushtarake të organizuar në Moskë më 9 maj.
Në atë letër është kërkuar nga Britania e Madhe të ndryshohet qasje, duke filluar me vendosjen e sanksioneve ndaj Vuçiqit dhe ndihmësve të tij.
“Me presidentin Vuçiq, Serbia i ka forcuar lidhjet me Putinin, duke qenë shteti i vetëm kandidat për anëtarësim në BE që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë përkundër krimeve të tmerrshme të kryera në Ukrainë që nga viti 2014. Për më tepër, Vuçiqi ka zgjedhur t’i destabilizojë Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe rajonin e Ballkanit gjerësisht, duke punuar ngushtë me Rusinë e Putinit që shikon shpërqendrim nga tentimi i saj për pushtim të plotë të Ukrainës”, thuhet ndër të tjera në letër e nënshkruar nga 26 parlamentarë britanikë.
Në letër është treguar se si gjatë sundimit të Vuçiqit ka pasur rënie të demokracisë. E janë përmendur edhe protestat masive në Serbi.
Derisa është thënë se politika e deritashme e qeverive britanike ka qenë të përkrahet integrimi euroatlantik i Serbisë, me shpresën që kjo do të kontribuojë pozitivisht dhe do ta largojë nga Putini, është thënë se ngjarja e 9 majit ka dëshmuar se nuk po ndodh kjo.
“Derisa ky ishte synimi, ngjarjet e 9 majit dëshmojnë sërish se Qeveria e Vuçiqit nuk e ka në interes shkëputjen e lidhjeve me Rusinë, ndërsa promovon në mënyrë aktive ideologjinë ultranacionaliste dhe ekspansioniste të Serbisë së Madhe, që rrezikon ta sjellë Ballkanin sërish në konflikt të përgjakshëm. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë ta ndryshojë kursin, duke filluar me një seri të sanksioneve të drejtuara kundër Vuçiqit, qeverisë dhe ndihmësve të tij, dhe të përdoren të gjitha mjetet diplomatike të nevojshme për t’i inkurajuar aleatët që ta ndjekin të njëjtën rugë. Po dështojmë të japim një përgjigje të qartë. Nëse nuk veprojmë, rrezikojmë të forcojmë regjimin e Vuçiqit dhe të dështojmë në ruajtjen e paqes në një rajon të brishtë si Ballkani”, thuhet në letrën e deputetëve.
Kritika për pjesëmarrje në Moskë ka marrë Vuçiq edhe nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, të martën në Beograd, duke e komentuar vizitën e Vuçiqit në Moskë për të shënuar Ditën e Fitores së Luftës së Dytë Botërore pavarësisht thirrjeve të Brukselit për të mos shkuar, tha se Vuçiqi ia ka shpjeguar se festa ishte për të kaluarën.
“Por në të tashmen, Serbia është plotësisht e përkushtuar në procesin e pranimit në BE dhe e di se për këtë duhet të kemi koordinim të plotë në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht se Serbia feston lirinë, por s’mund ta festojmë lirinë pa e dënuar pushtimin e sotëm të një shteti tjetër”, ka thënë ai.



