“Depresioni i janarit”: Pse njerëzit ndihen të trishtuar dhe bosh pas festave të fundvitit?

Periudha pasfestive, dhe sidomos muaji janar, shpesh përshkruhet si një kohë e humbjes së gjallërisë pas atmosferës së festave të fundvitit.

Ky muaj në shoqëri njihet si “muaji i depresionit të lehtë”, ose i ashtuquajturi “depresioni i janarit”, një fenomen që nuk është një diagnozë klinike, por një gjendje e zakonshme psikologjike dhe sociale që prek shumë individë.

Nga një këndvështrim sociologjik, kjo periudhë përbën një shembull të qartë se si presionet kulturore, ritmet e jetës sociale dhe normat ekonomike ndikojnë në mirëqenien mendore të individit.

Festat e fundvitit krijojnë pritshmëri të larta emocionale dhe sociale, të cilat shënojnë një kohë të përbashkët gëzimi. Ndaj, pas përfundimit të këtyre ngjarjeve, rikthimi në rutinën e përditshme, bashkë me ngarkesën financiare që shpesh mbetet pas shpenzimeve të festave, krijon një kontrast të fortë mes emocioneve të larta dhe realitetit të përditshëm.

Në lidhje me këtë, për Klankosova.tv ka folur sociologu Labinot Kunushevci, i cili tha se janari përjetohet si muaji më depresiv sepse bie niveli i hormoneve të cilat, siç u shpreh, shpërthejnë masivisht dhe pa kontroll gjatë dhjetorit.

“Janari konsiderohet dhe përjetohet si muaji më depresiv sepse bie niveli i hormoneve të cilat shpërthejnë masivisht dhe pa kontroll gjatë dhjetorit, përkatësisht festave të fundvitit. Pasi ky kontroll i munguar shprehet edhe në shpenzimet ekstravagante për festa, janari karakterizohet edhe me shtrëngime financiare. Dhjetori, për shkak të festave të fundvitit, është muaji apo konteksti kulturor në të cilin më së paku njerëzit gjykojnë me vetëdije. Deliriumi i madh që kërkohet në këto ditë të fundit të muajit është jashtë normalitetit”, tha ai.

Kunushevci u shpreh se gjatë kësaj periudhe krijohet një boshllëk, një prishje ekuilibri dhe nuk përjetohet si një muaj refleksioni.

“Ka shumë mite dhe iluzione që duhen ushqyer. Janari, jo vetëm si muaj i ftohtë acari dhe i gjatë, por mbi të gjitha vjen pas një shprehjeje të një akumulimi të madh të potencialit, dëshirave e egove të pakontrolluara të njerëzve. Pra, krijohet një boshllëk, një prishje ekuilibri dhe nuk përjetohet si një muaj refleksioni, ku njeriu e bën një bilanc vjetor, gëzohet për arritjet e planifikon për të ardhmen, pendohet për gabime dhe transformon cilësi personale. Andaj kur fundi i vitit është vetëm një festë e turmave, zakonisht po këto turma bien në depresion”, tha sociologu.

Nga aspekti psikologjik, siç shpjegon për Klankosova.tv psikologia klinike Antigona Qenaj-Sejdiu, “depresioni i janarit” shfaqet si një gjendje e përkohshme e rënies së humorit dhe energjisë, e cila lidhet ngushtë me mbarimin e atmosferës festive, rikthimin në rutinë dhe presionin për të menaxhuar jetën e përditshme.

Faktorët psikologjikë që sipas saj ndikojnë në këtë gjendje përfshijnë zbrazëtinë emocionale pas festave, presionin financiar, rikthimin e menjëhershëm në punë dhe përgjegjësi, pritshmëritë e larta për fillimin e vitit dhe vetëkrahasimin social.

Qenaj-Sejdiu tregoi edhe se si manifestohet kjo gjendje emocionalisht dhe fizikisht te individët dhe se cilat janë shenjat më të shpeshta.

“Manifestohet me trishtim të lehtë deri të moderuar, ndjenjë boshllëku ose apatie, lodhje të vazhdueshme, mungesë motivimi, irritueshmëri, ankth, rënie të vetëvlerësimit, çrregullime të gjumit, ndryshime në oreks, dhimbje koke dhe tension trupor. Më të rrezikuara janë moshat e rritura dhe mosha e mesme, persona që jetojnë vetëm, individë me histori ankthi ose depresioni, persona me stil jetese jo aktiv dhe ata që janë të ekspozuar ndaj presionit social dhe rrjeteve sociale”, tha psikologia klinike Antigona Qenaj-Sejdiu.

Për Klankosova.tv, ajo renditi gjithashtu edhe disa nga format më praktike për ta tejkaluar këtë periudhë dhe për ta përmirësuar mirëqenien mendore në janar, duke filluar nga rikthimi gradual në rutinë, ekspozimi ditor në dritë natyrore, aktiviteti fizik i lehtë, vendosja e qëllimeve të vogla dhe reale, ruajtja e kontakteve social, e deri tek kërkimi i ndihmës profesionale nëse gjendja zgjat më shumë se disa javë.

Në botë, “E hëna e kaltër” (Blue Monday) njihet si dita më depresive e vitit. Megjithatë, sipas BBC, nuk ka asgjë shkencore për këtë fenomen.

Ky emërtim raportohet të jetë përdorur për herë të parë nga psikologu Cliff Arnall më 2004, dhe i bie të jetë e hëna e tretë e janarit, çdo vit.

Kjo, megjithatë, është hedhur poshtë nga të tjerë ndër vite.