Dënohet për herë të parë në Bosnjë një person për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e ka dënuar me dy vjet e gjysmë burgim, në një vendim të shkallës së parë, Vojin Pavloviçin kryetarin e shoqatës pro-ruse “Alternativa Lindore” e Republikës Serbe, për mohimin dhe lartësimin e gjenocidit në Srebrenicë, si dhe për lavdërimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.

Gjyqtari, në vendimin e tij, tha se ky është një moment historik për praktikën gjyqësore në Bosnje e Hercegovinë dhe u bëri thirrje prokurorive t’i ndjekin penalisht rastet e tilla.

Pavloviq u dënua pasi më 10 mars 2023, në një kryqëzim mbi semafor në Bratunac, kishte vendosur një pankartë me portretin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, ku ishte shkruar mesazhin “gëzuar ditëlindjen, rrofsh e jeto mirë”.

Në aktgjykim thuhet se Pavloviq ishte i vetëdijshëm që me këtë veprim po madhëronte Mlladiqin, i cili me vendim të gjykatës ndërkombëtare është dënuar për gjenocid dhe krime të tjera lufte, raporton klix.ba.

Ai u shpall fajtor edhe për miratimin dhe përpjekjen për të justifikuar gjenocidin në Srebrenicë, duke organizuar një tubim në Bratunac më 11 korrik 2023, për të cilin kishte përgatitur posterë me mbishkrimin “11 korrik – Dita e Çlirimit të Srebrenicës; Faleminderit Ushtrisë së Republikës Serbe”.

Këta posterë i kishte vendosur në territorin e komunës së Bratuncit, që kufizohet me Srebrenicën.

Me vendim të gjykatës, Pavloviq është i detyruar të mbulojë shpenzimet gjyqësore. Ky është vendimi i parë i këtij lloji në Bosnje e Hercegovinë.

Si mbrojtja ashtu edhe Prokuroria e Shtetit mund të parashtrojnë ankesë ndaj vendimit.

Ish-Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, kishte vendosur në korrik të vitit 2021, përmes të ashtuquajturave “kompetenca të Bonit”, ndryshime në Kodin Penal të Bosnjës, përmes të cilave ndalohen dhe ndëshkohen mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës, si dhe lartësimi i kriminelëve të luftës.