Dënohet me 5 mijë euro gjobë 62-vjeçari që e kërcënoi gazetarin Kajtazi

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me pesë mijë euro gjobë Hysni Menxhiqin, të akuzuarin për kanosjen e gazetarit dhe drejtorit të Paparacit, Vehbi Kajtazi.

Aktgjykimi është shpallur sot nga gjyqtari Eroll Gashi.

Sipas aktgjykimit, i pandehuri është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të kanosjes.

I akuzuari, Hysni Menxhiqi, nuk e kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të rastit në shtator të këtij viti.

Menxhiqi, 62-vjeçar, është një shtetas kosovar me banim në Gjermani.

Sipas dosjes së prokurorisë, Menxhiqi, në gusht të këtij viti e kishte kërcënuar gazetarin Kajtazi përmes një komunikimi në rrjetin social Facebook.

”Vehbi Kajtazi apo vehbi taraku apo vehbi komandati un persanli jam ilodhur me ty. Vehbi tkanxan ne tuli far pozicioni ne prishtin tkam lirue patue qkye ftyra apatu qkye barku apo pate hi thesi ne krye Trathtar shërbyes I serrbis Teneqe pasha tok e qill ma nuk te lshoj pa eprovue se si duhet me vdek me vite te lutem po ti lutjen se njef ti je m** ti je f*******”.

”Por semari familja jote dote bjen dëshmor tani per ty nuk me bahet von qdo kufi e ke kalue per qashtjen kombtare vdekja asht Mshir po historia kurr nuk ka shkrue se a ka njiri  qe ban ksi masakre ne ty edhe ne familjepoplli edin ti kurr nuk ju ndale serrbis me informacione si ne luft si ne lir”, i kishte shkruar Menxhiqi, gazetarit Kajtazi.

Menxhiqi ishte arrestuar më 29 gusht të këtij viti dhe që prej asaj periudhe ndodhet në paraburgim. /Paparaci.com