Dënohet me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë i akuzuari për shitblerje të narkotikëve

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Bashkim Kolshit, duke e dënuar me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për shitblerje të narkotikëve. Akuza e ngarkon për transportimin e 180 kilogramëve kokainë.

Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala dhe anëtarët Vesel Ismaili dhe Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi Shala bëri të ditur se i akuzuari u shpall fajtor dhe u dënua me 4 vjet burgim dhe 20 mijë euro gjobë për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndajra dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve e substancave psikotropike dhe analoge”. Kurse, u lirua nga akuza për veprën penale “Shpëlarja e parave”.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Në shpallje nuk ishin të pranishëm i akuzuari Kolshi dhe as prokurori Kastriot Mema. Kurse, i pranishëm ishte mbrojtësi i Kolshit, avokati Kadri Mjekiqi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 3 maj 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Bashkim Kolshit, të cilin e akuzon për transportim të narkotikëve të llojit kokainë dhe shpëlarje parash.

Kontrabandimin e narkotikut, aktakuza thotë se i pandehuri Kolshi e ka bërë me dhjetë dërgesa gjatë periudhës prill-maj-qershor 2019.