Luan Miftari, i akuzuari për kontrabandim me migrantë është dënuar me 1 vit e 9 muaj burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë, sipas dënimit të propozuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë bazuar në marrëveshjen e arritur për pranim fajësie.
Gjykatësi i rastit, Ngadhnjim Arrni bëri të ditur se të akuzuarit në këtë dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak dhe paraburgim. Masa e paraburgimit i ndërpritet, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu, i akuzuari detyrohet që të paguajë shpenzimet procedurale sipas paushallit gjyqësor prej 200 euro.
Ndryshe, marrëveshjen për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar në seancën e kaluar.
Në atë seancë, Prokuroria njoftoi se është tërhequr nga ndjekja penale për “Krim të organizuar” dhe “Pastrim të parave”.
Sipas aktakuzës së ngritur më 15 shtator 2014, Luan Miftari ngarkohej se prej 26 nëntorit 2012 deri më 9 dhjetor 2013, vepër e kryer në vazhdimësi, në territorin e Kosovës, Serbisë, Hungarisë, Austrisë, Gjermanisë dhe Italisë, ka kryer veprën penale ‘Kontrabandim me migrantë’, duke iu mundësuar personave të cilët nuk janë shtetas ose banorë të Kosovës të hyjnë në Kosovë ose personave të cilët nuk janë shtetas ose banorë të përhershëm të kalojnë kufirin pa iu përmbajtur kërkesave të nevojshme për hyrje të ligjshme në shtetet në fjalë pa iu përmbajtur kushteve të nevojshme ligjore.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Kontrabandim me migrantë” nga neni 170 i Kodit Penal.
Gjithashtu, Miftari akuzohej edhe për ndihmë të personit tjetër në pastrim të parave, ku i njëjti nga 26 nëntori 2012 deri më 9 dhjetor 2013, duke ndihmuar të akuzuarin Sami Qitaku të kryejë veprën penale “Pastrim i parave” duke konvertuar, transferuar ose tentuar për të konvertuar apo transferuar pasurinë me qëllim të fshehjes së natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes apo pronësisë së pasurisë, duke qenë në dijeni se paratë apo mjetet monetare janë të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Me këtë, Miftari akuzohej për veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 32 i Ligji për parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit në lidhje me nenin 25 par.1 të Kodit Penal të Kosovës.
Po ashtu, pjesë e kësaj aktakuze janë edhe të akuzuarit: Sami Qitaku, Attila Havasi, Zoltan Varga, Anita Horvathe-Szucs, Andras Janos Orosz, Milan Lakatos, Istvan Botos, Anton Leszkovich, Robert Riga, Eva Pozsonyine Szabo, Zsolt Nagy, Roland Szelecz, Polgar Szabolcs, Stefka Ognyanova, Nikoletta Nyiro, Viktoria Grozerne, Arsim Curri, Goran Ivic, Miro Palija, Jeton Dobrani, Salih Qitaku, Fatmir Kastrati, Sahit Sadriu dhe Mehdi Fetahu, të cilët akuzoheshin për veprat penale “Kontrabandim me migrantë” dhe “Pastrim i parave”. Për këta të akuzuar, ka përfunduar procedura penale.