Nefail Maliqi, Azdren Shala dhe Elena Uka, në emisionin “Kosova Today” kanë folur rreth gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Shala përmend kushtet jo të mira të ushqyerjes së tyre, ku thotë se ish-luftëtarët e UÇK-së po servohen me ushqim të ftohtë.
“Para një viti e gjysmë apo dy, ish-kryetari i partisë time, Dardan Mulliqaj ka qenë për vizitë te krerët e luftës në Hagë, edhe ai tregon që mes vështirësive që kanë, është edhe ushqimi, marrin ushqime të ngrira , dhe arsyetimi i zyrtarit të gjykatës është që mundësia për t’u helmuar është më e madhe, pra për efekt sigurie. Ata mund të gatuajnë vetë, por për të blerë ushqim, atje është shumë shtrenjtë. Sipas Dardani, më keq financiarisht atje janë Cali dhe Ujku”, tha Shala
Nga ana tjetër, Maliqi thotë se sipas gazetës zvicerane, ata që janë në paraburgim në Hagë, ushqehen mjaft mirë.
“Për gazetën zvicerane, zyrtarë të Hagës thanë se krerët e UÇK-së ushqehen mirë, e madje kanë dhe kuzhinë të tyre”.
Ai shton se gjithkush ka dëshirë që ish-krerët e UÇK-së të lirohen sa më parë.
“Askush nuk ka dëshirë që të mos lirohen krerët e UÇK-së nga Haga. Nuk mendoj se mund të gjesh shqiptar në Kosovë madje as në Ballkan që kanë dëshirë të dënohen Thaçi, Veseli dhe të tjerët”, u shpreh ai.
Maliqi po ashtu tha se titujt bombastikë nëpër mediat kosovare, mund të dëmtojnë procesin gjyqësor në Hagë.
Por, Uka u shpreh e indinjuar lidhur me deklaratën e mësipërme të Maliqit.
Ajo thotë se nëse drejtësia varet nga titujt e mediave dhe në sjelljen e shoqërisë, atëherë drejtësi nuk ka.
“Po ndërtohet një tregim, që edhe Trendafilova e tha për protestën e veteranëve që është në një vend demokratik, protesta është e garantuar për të manifestuar pakënaqësinë e ndonjë teme, dhe të thuhet tash se çka shkruajnë mediat se çka ndodh atje, atëherë drejtësia qenka duke u varur se si ne sillemi si shoqëri, apo si mendiume, atëherë kjo nuk është drejtësi, nuk qenka gjykatë. Ne duhet ta kemi të qartë, e vërteta e popullit tonë është në gjykim”, u shpreh Uka.
Ndërsa historiani Shala tha se dënimi për djemtë e Kosovës në Hagë, mund të jetë i gatshëm, e gjyqi është vetëm farsë.
“Kam frikë se dënimi për djemtë tanë atje është gati, gjyqi është farsë”, tha Shala.