Dëmtohet mburoja mbrojtëse e centralit bërthamor të Çernobilit në Ukrainë, IAEA kërkon rindërtim

Referuar agjencisë, një vlerësim i fundit i sigurisë zbuloi se mbrojtja kishte humbur funksionet e saj pas një sulmi me dron në shkurt.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), mbulesa mbrojtëse mbi reaktorin e katërt të shkatërruar në centralin bërthamor të Çernobilit ka nevojë për rindërtim të madh për shkak të dëmtimeve nga lufta në Ukrainë.

“Janë kryer riparime të përkohshme të kufizuara mbi çatinë, por restaurimi i plotë dhe i drejtë në kohë mbetet thelbësor për të parandaluar degradimin e mëtejshëm dhe për të siguruar sigurinë bërthamore afatgjatë”, tha sot drejtori i Përgjithshëm i IAEA, Rafael Grossi, në një deklaratë.

Referuar agjencisë, një vlerësim i fundit i sigurisë zbuloi se mbrojtja kishte humbur funksionet e saj pas një sulmi me dron në shkurt.

Kjo përfshin aftësinë e përmbajtjes rreth reaktorit, i cili shpërtheu gjatë testimeve të sigurisë në vitin 1986.

IAEA rekomandon riparime të mëtejshme dhe masa mbrojtëse, duke përfshirë kontrollin e lagështisë, monitorimin e përditësuar të korrozionit dhe përmirësimin e monitorimit të sarkofagut prej betoni që u ndërtua mbi reaktorin e dëmtuar menjëherë pas katastrofës.

Gjithë vendi i Çernobilit u mbyll përfundimisht në dhjetor 2000, kur u mbyll reaktori i fundit në funksion. Riparime të tjera paraprake do të kryhen vitin e ardhshëm për të përmirësuar mbrojtjen e re në centralin që ndodhet rreth 100 kilometra në veri të Kievit.

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, një dron rus dëmtoi në shkurt “New Safe Confinement ” (NSC), një strukturë e madhe si hangar, e instaluar mbi reaktorin e katërt në vitin 2016. Pas incidentit nuk u raportuan nivele të rritura rrezatimi.

Moska  ka mohuar se kishte sulmuar vendndodhjen bërthamore, e cila u pushtua nga trupat e saj për 35 ditë në fillim të luftës para se të tërhiqeshin.

Që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës, kanë ndodhur incidente të përsëritura në centralet bërthamore pjesërisht të çaktivizuara të vendit.

Në fillim të tetorit, sipas Kievit, mbrojtja në Çernobil mbeti pa energji për shkak të sulmeve mbi infrastrukturën energjetike.

Centralet bërthamore të çaktivizuara të Zaporizhias, të pushtuara nga trupat ruse që nga marsi 2022, mbetën pa furnizim të jashtëm me energji për rreth një muaj në vjeshtë.