Dëmtimi i Lewandowskit, më serioz së dukej. Humb startin e La Liga-s, por rrezikon edhe më shumë

Lajm i hidhur për Barcelonën. Sipas të përditshmes “AS”, Robert Lewandowski mund të mungojë deri në tri javët e para të La Liga-s për shkak të një shqetësimi në bicepsin femoral të këmbës së majtë. Në komunikatën e djeshme, sulmuesi polak u njoftua si mungesë për “Trofeun Gamper” ndaj Comos, por dëmtimi pritet ta mbajë jashtë fushës për më shumë se disa ditë.

Madje, sipas burimeve spanjolle, nuk përjashtohet mundësia që polaku të rikthehet vetëm pas pushimit të klubeve për ndeshjet e kombëtareve, në mesin e shtatorit. Edhe pse nuk duket një dëmtim i rëndë, nuk është hera e parë që 37-vjeçari ndien probleme të këtij lloji. Për këtë arsye, klubi katalanas do të veprojë me kujdes dhe maturi, duke marrë parasysh edhe moshën e ish-sulmuesit të Bayern Munich.

E sigurt është se Lewandowski do të mungojë në ndeshjen hapëse të La Liga-s më 16 gusht kundër Mallorca. Më pas, rikthimi i tij do të varet nga ecuria e rikuperimit, por edhe sfidat kundër Levante dhe Rayo Vallecano mbeten në rrezik. Kjo situatë do ta detyrojë trajnerin Hansi Flick të ndryshojë planet, duke u mbështetur tek Ferran Torres. Një strategji e përdorur edhe sezonin e kaluar, por këtë herë me Marcus Rashford si alternativë shtesë.

The post Dëmtimi i Lewandowskit, më serioz së dukej. Humb startin e La Liga-s, por rrezikon edhe më shumë appeared first on Telesport.